Jump to Navigation

Hyrje në Biokimi

Qvniet e gjalla dhe sendet pa jetë përbëhen nga lënda. Me lëndë kuptohet gjithçka që ka një masë dhe zë një hapësirë. Lënda përbëhet nga atome, të cilat përbëjnë një element të caktuar. Një element është I përbërë vetëm nga një lloj atomi. Oksigjeni dhe hidrogjeni janë elemente kimike. Duke studiuar përbërjen e elementeve kimike të kores së tokës gjeologët, kanë përcaktuar se 98 % e të gjitha atomeve të pjesës pa jetë të sipërfaqes së planetit tonë përbëhet nga tetë elementë kryesore: oksigjeni, silici, alumini, natriumi, kalciumi, hekuri, magnezi dhe kaliumi.

Lënda përbëhet nga dy ose më shumë elemente. Në këtë rast lënda quhet përbërje kimike. Uji p.sh. është një përbërje kimike e formuar nga elementet oksigjen dhe hidrogjen. Në të vërtetë hidrogjeni dhe oksigjeni janë gaze por të bashkuara ata japin ujin, i cili është lëng. Njësia më e vogël e një përbërje është molekula.

Për të dalluar elementet nga njëri tjetri përdoren simbolet. Kështu simboli i oksigjenit është O, kurse ai i hidrogjenit H. Formula kimike e një përbërje përfshin simbolet e elementeve përbërëse. Kështu, p.sh formula kimike e ujit është H2O, që do të thotë se në të ka dy atome hidrogjeni për çdo atom oksigjen.

Rreth 97% e lëndës që formon gjallesat përbëhet nga gjashtë elemente kimike: karboni, hidrogjeni, oksigjeni, azoti, fosfori dhe squfuri. Në përbërjen e lëndës së gjallë përfshihen edhe tetë elemente të tjera, të cilat takohen në trajtë gjurmësh (në sasi të vogël).
Uji është përbërësi kryesor i mjedisit të brendshëm të gjallesave. Ai shërben si tretës për shumë reaksione biologjike dhe bashkëveprues ose produkt në shumë reaksione kimike. Përmbajtja e lartë e ujit në organizma ndihmon ruajtjen pak a shumë të qëndrueshme të temperaturës së tyre të brendshme.

Për të shndërruar 1 gram ujë në 1 gram avull uji, nevojitet 2262.6 J. Në trupin e njeriut për të kaluar djersa në avull, përthithet energji, ndërsa gjethja freskohet në dritën e diellit si pasojë e avullimit të ujit nga sipërfaqja e saj.

Qeliza dhe lëngu jashtë qelizor i kafshëve dhe bimëve përmban një shumëllojshmëri kripërash të tretshme. Këto kripëra janë të nevojshme për ekuilibrin acido-bazik, për mpiksjen e gjakut, për funksionimin e nervave dhe muskujve, për formimin e kockave etj. Përbërësit kryesorë joorganikë të  qelizave janë ato të natriumit, kaliumit, kalciumit, magnezit, fosforit, squfurit etj. Krahas lëndëve inorganike, trupi i gjallesave, përmban edhe disa lëndë të ndërlikuara, që quhen lëndë organike. Dega e kimisë që merret me studimin e këtyre lëndëve quhet kimi organike. Meqë në përbërje të lëndëve organike ka gjithmonë karbon, ato quhen edhe përbërje të karbonit.

Dega e kimisë organike qe studion molekulat e gjallesave si dhe bashkë veprimin midis tyre quhet biokimi.
Biokimia është kështu shkenca që studion në nivelin molekular problemet që karakterizojnë sistemet e gjalla. Këto sisteme të gjalla janë të përbëra nga molekula që të izoluara e të ekzaminuara individualisht ndjekin, të gjitha ligjet kimike e fizike që rregullojnë lëndën pa jetë, megjithatë, vetë këto molekula, marrin pjesë në organizime të materies në nivele të tilla që nuk ndeshen në lëndën pa jetë.
Karakteristikat kryesore të materies së gjallë janë këto: strukturë e përgjithshme shumë komplekse e jashtëzakonisht e organizuar aftësi për të kapur e transformuar energjinë e mjedisit me qëllim që ta përdorë këtë energji për ndërtimin dhe mbrojtjen e strukturave të sipërpërmendura, aftësi për t'u vetëreplikuar.

Kjo ndodh, sepse qelizat e gjalla janë vendi i reaksioneve kimike që të katalizuara prej enzimave, zhvillohen në proporcionin e duhur dhe me shpejtësinë e duhur. Këto reaksione nuk zhvillohen pavarësisht nga njëra tjetra, por janë të lidhura në seri me anë të ndërmjetësve të përbashkët në mënyrë të tillë që produkti i njërit reaksion bëhet reaktivi i reaksionit të mëpasshëm e kështu me radhë.
Si përfundim, mund të themi që ngjarjet kimike qe ndodhin në lëndën e gjallë, udhëhiqen nga të njëjtat ligje që rregullojnë lëndën pa jetë drejt realizimit të një lloj skeme ose "projekti", në një mënyrë që nuk ndryshon e sipas një seri parimesh që përfaqësojnë logjikën molekulare të jetës. Kimia organike është degë e kimisë, qe studion komponimet e karbonit. Ne komponimet organike te karbonit bëjnë pjesë jo vetëm ato komponime që gjenden ne botën e gjallë, por edhe ato komponime qe përfitohen ne mënyrë sintetike ne laborator.

Komponimet organike janë të ndërthurura me ato inorganike dhe mund të shndërrohen në njëra-tjetrën: p.sh: procesi i fotosintezës (shndërrimi i komponimeve inorganike në ato organike) dhe përfitimi i amoniakut nga metani (shndërrimi i komponimeve organike në ato inorganike).
Komponimet organike i karakterizojnë disa veti fizike dhe kimike që i dallojnë nga komponimet joorganike (tretshmë-rinë, pika e vlimit dhe e shkrirjes, djegshmëria, struktura kimike, reaksionet kimike) etj.
Komponimet organike i paraqesim me formulë molekulare, racionale te structures etj. Në kiminë organike bëjnë pjesë: Komponimet organike të karbonit, hidrokarburet, komponimet organike me oksigjen dhe azot (alkoolet) dhe komponimet organike me rëndësi jetësore.



Main menu 2