Jump to Navigation

Ç’është kondomi mashkullor?

E vetmja gjë e sigurtë në marrëdhëniet seksuale midis dy të rinjve, është “abstinenca”, ose heqja dorë me vetëdije nga marrëdhëniet e mirëfillta seksuale. Pra, “seks i sigurtë” do të thotë “hiç seks”. Kjo është e pamundur, veçanërisht, për të rinjtë e sotëm!
Në kompleksin e masave që garantojnë “seksin më të sigurtë”, elementi kryesor është kondomi mashkullor.

Ç’është kondomi mashkullor?
Kondomi mashkullor është një qese prej lateksi, prej poliurethani, ose prej lëkure qengji, që vishet mbi penisin e forcuar (erektuar). Qëllimi i përdorimit të kondomit është të ndalojë hyrjen e spermatozoideve dhe mikrobeve në vagjinën e gruas. Kondomet, në tërësinë e masave për kontrollin e lindjes, hyjnë në metodat barrierë…
Kondomi mashkullor ka një rezervuar të vogël në majë, i cili shërben për të mbledhur spermën që burri hedh gjatë ejakulacionit. Kondomi pengon kontaktin e penisit dhe të sekrecioneve që dalin prej tij, me vaginën dhe qafën e mitrës. Disa kondome shiten të përpunuara me një lëndë spermicide, që është një kimikat vrasës për spermatozoidet.
Sipas një statistike të Klinikës Mayo në Sh.B.A., nga 100 kondome mashkullore që përdoren për seksin më të sigurtë, dy prej tyre çahen gjatë përdorimit. Për të penguar farjen e kondomeve ndihmon lubrifikimi i kondomit dhe i hyrjes për në vaginë. Jo të gjithë lubrifikantët janë të sigurtë për t’i përdorur me kondomet lateks. Më të këshilluar janë lubrifikantët me bazë ujore.

Sa efektivë janë kondomet mashkullorë?
Edhe kur përdoren në mënyrë tipike, kondomet mashkullore, kanë një përqindje dështimi, që shkon deri në 14-15%. Kjo do të thotë se nga 100 gra e vajza që brenda një viti kanë kryer marrëdhënie seksuale duke përdorur çdo herë kondomin në mënyrë tipike, 14-15 prej tyre mbesin shtatzëna. Lënda spermicide e rrit efektivitetin e kondomeve. Kur kondomet me spermicid përdoren në mënyrë korrekte dhe këmbëngulëse, efektiviteti i tyre rritet deri mbi 95%. Çdo vajzë dhe çdo grua, që ndjen ndonjë nga shenjat e shtatzënisë, duhet të bëjë testin për shtatzëni, pavarësisht, se ka bërë, vazhdimisht, seks me kondom.
Përdorimi i kondomeve mashkullore nuk ka efekte anësore. Përjashtim bëjnë personat që janë alergjikë ndaj lateksit.

Si t’i përdorni kondomet?
• Përdorni kondome të lubrifikuara dhe përdorni, gjithmonë, kondome lateksi. Pse kondome lateksi? Sepse kondomet e bëra nga lëkura e qengjit, lejojnë të kalojë përmes tyre virusi i imunodeficiencës (HIV), si dhe i disa sëmundjeve të tjera infektive seksuale (SIS). Kondomet prej poliurethani janë më të dobëta dhe çahen lehtësisht . Kërkoni të gjeni atë lloj kondomit që u pëlqen. Përdorni dimensione dhe forma të ndryshme të tyre. Ka shumë zgjedhje që mund të bëni, por njëri nga llojet e shumta të kondomeve, mund të jetë më i mirë për ju.

• Mbajini kondomet në një vend të freskët, të thatë dhe jo të ngjeshura ( jo në portofol). Sigurohuni që kondomi është i papërdorur. Shikoni datën e skadencës. Flakni kondomet e skaduara dhe ato që janë ekspozuar në të ngrohtë. Mos përdorni kondome që janë larë në lavatrice bashkë me teshat. Në qofte se dyshoni se kondomi nuk është i mirë, mos hezitoni, merrni një tjetër. Ju të dy e meritoni këtë .

• Hapeni zarfin me kujdes që të mos e dëmtoni kondomin. Bëni kujdes mos ta dëmtoni kur përdorni dhëmbët për ta hapur. Sigurohuni që pakua e kondomit nuk ka vrima. Zarfi me vrima ka ajër brenda. Kontrollojeni ambalazhin që të jetë i pa dëmtuar, po ashtu dhe vetë kondomi. Kur kondomi shkëlqen, kur ai është i ngjitur dhe kur ka të prishur ngjyrën, këto janë shenja se kondomi është i vjetër dhe ai nuk duhet të përdoret.

• Visheni kondomin pasi penisi të jetë forcuar, gjithmonë, përpara se ai të prekë në trupin e partneres. Ju veproni në mënyrë të gabuar, kur e vishni kondomin pasi keni hyrë e dalë shumë herë në vaginën e vajzës dhe e vendosni atë, vetëm, para se të ejakuloni (mbaroni). Përdorimi i kondomit në këtë mënyrë, nuk u mbron as nga shtatzënia e padëshiruar, as nga infeksionet seksualisht të transmetueshme, përfshi HIV/AIDS. Kur penisi nuk është bërë synet, lafshën postojeni mbrapa kokës së penisit, përpara se të vishni kondomin .

• Sigurohuni që kondomi të jetë i përveshur mirë. Ana e brendshme e kondomit nuk duhet të jetë nga jashtë. Kondomi është si një çorape e hollë grash, që ka anën e prapme dhe të përparme. Përpara se ta vishni në penis, shpërvisheni kondomin 1 cm, që të shikoni se nga cila anë është mbledhur. Kur të jeni siguruar për këtë, vendoseni kondomin në kokën e penisit të erektuar dhe mbajeni rezervarin midis gishtave. Kur veprohet në këtë mënyrë, nuk lejohen të hyjnë flluska ajri midis penisit dhe kondomit. Këto flluska ajri, në qofte se hyjnë, mund ta çajnë kondomin gjatë lëvizjeve të tij në vaginë. Kjo mënyrë, gjithashtu, lejon një hapësirë ku do të grumbullohet sperma që ejakulohet.

• Në qofte se përdorni lubrifikant, ai duhet të jetë lubrifikant me bazë ujore, siç janë: ID Glide, K-Y- gjel, Slippery stuff, Forplay, Wet, Astroglide. Përdorimi i lubrifikantit parandalon çarjen e kondomit. Produktet si xhel petroleumi, vaj masazhi, gjalpë, Vazelinë, kremra duarsh e të tjera, që nuk konsiderohen si lubrifikantë me bazë ujore, nuk duhet të përdoren. Përdorimi i tyre e dëmton lateksin.

• Vendosni lubrifikant pasi ta keni veshur kondomin, në asnjë mënyrë më përpara. Kondomi duhet të rrëshqasë. Shtoni gjatë aktit seksual, shpesh herë, lubrifikant. Kondomet e thata çahen më lehtë.

• Nxirreni penisin jashtë nga vagina, menjëherë, pas ejakulacionit, kur penisi është akoma i forcuar. Shtrëngojeni hapjen e kondomit me gishta dhe me kujdes e ngadalë, tërhiqeni penisin jashtë(akoma me kondomin veshur). Në këtë mënyrë ju pengoni derdhjen e spermës në vagjinë.

• Flakeni, menjëherë, kondomin e përdorur. Mbështilleni mirë që të mos derdhet sperma poshtë e lart, ose mbështilleni me një letër tualeti dhe hidheni në plehrat. Mos e hidhni në WC. Kondomi mund t’ua bllokojë tualetin. Përdoreni një kondom vetëm një herë. Kurrë mos përdorni të njëjtin kondom për interkursë anale dhe vaginale. Kurrë mos përdorni një kondom të cilin e ka përdorur më parë dikush tjetër.
Përshkrova më sipër të gjitha rregullat që duhen respektuar për përdorimin e kondomit. Ato kanë shumë rëndësi që të zbatohen sepse, vetëm, kështu, mund të realizoni seksin më të sigurtë.
Askush nuk ka parë në filmat dhe në pornografi përdorimin e kondomit dhe këto rregulla për vendosjen e tij. Duket qartë, qëllimi i pornografisë nuk është të mësojë seksin e sigurtë e të shëndetshëm, por turbullimin e mendjes së njerëzve dhe veçanërisht të rinjve, për t’i tërhequr në jetën seksuale jo të shëndetshme.
Përdoreni kondomin që herën e parë që filloni jetën seksuale.
Përdorimi i kondomit që herën e parë që filloni të bëni seks dhe vazhdimisht, ka përfitime shumë më të mëdha, se vetëm kontracepsionin.
Mbani mend këto konsiderata të përgjithshme:

• Njerëzit që kanë kryer për shumë vjet, marrëdhënie seksuale me përdorim të vazhdueshëm dhe të rregullt të kondomit, janë infektuar shumë më pak, ose nuk janë infektuar fare me sëmundjet infektive seksuale (SIS).

• Njerëzit që nuk kanë përdorur kondomin, ose nuk e kanë përdorur atë vazhdimisht dhe rregullisht, janë sëmurë me SIS, përfshi dhe HIV/AIDS.

• Disa studime kanë treguar, se persona që e përdorën kondomin që në aktin e tyre të parë seksual, ata e kanë përdorur atë vazhdimisht dhe në mënyrë të rregullt.
Për të kuptuar vlerën që ka përdorimin i kondomit në mënyrë të rregullt që nga penetrimi i parë vagjinal, na ndihmon studimi i mëposhtëm.
Kërkuesit analizuan të dhënat që mblodhën nga më shumë se 4000 pjesëmarrës në studim dhe që kishin jetë aktive seksuale. 52% e pjesëmarrëseve në studim ishin gra dhe mosha mesatare në fillim të aktivitetit seksual, për të gjithë pjesëmarrësit në studim (burra e gra) ishte 15.2 vjeç.
Ky studim u publikua në National Longitudinal Study of Adolescent Health. Duke filluar që nga viti 1994, kërkuesit, kryen intervista në shtëpi në tre valë (siç e quajtën ata). Momentin i valës së tretë ishte kur pjesëmarrësit arritën moshën mesatarisht 22.2 vjeç. Në këtë moment u mblodhën prej tyre mostra urine, të cilat u testuan me ligase chain reaction (LCR), për Neisseria gonorrhoeae dhe Chlamidia trachomatis DNA.
Studiuesit bënë krahasim të axhustuar të faktorëve. Kjo do të thotë që ata axhustuan statusin socio-ekonomik, nivelin e edukimit, dhe mënyrën si të rinjtë marrin përsipër rrezikun. Studimi konkludon:

• 36 % e përdoruesve të kondomeve që në koitusin e parë, e kanë përdorur atë vazhdimisht dhe rregullisht deri në koitusin e fundit.

• Grupi i përdoruesve të rregullt të kondomeve ishte infektuar 50% më pak nga grupi që nuk i ka përdorur kondomet, me infeksione të C trachomatis, ose N. Gonorrhoeae,
Numri i partnerëve seksualë ishte i barabartë në të dy grupet.

Ky studim qartësisht tregon :
• Përdorimi i kondomit është një avantazh i madh, që ka rezultate pozitive lidhur me infektimin me SIS.
• Përdoruesit e kondomit që nga hera e parë, përgjithësisht, janë persona që nuk marrin përsipër rreziqe.
• Përdorimi i kondomit që nga hera e parë, jep rezultate shumë të mira për tani dhe për shumë vite më vonë.
• Pakësimi i përqindjes së SIS në këto shifra, nuk është një çudi. Kjo ndodh me të gjithë ata që përdorin kondomin vazhdimisht dhe rregullisht.
• Ky studim ka një vlerë të veçantë, sepse përdori një biomarker, siç është LCR, për të vlerësuar sjelljen seksuale të vetë-raportuar nga pjesëmarrësit.

Këto rezultate tregojnë se të gjithë adoleshentët duhet të edukohen që të përdorin kondomet vazhdimisht dhe rregullisht.
Propagandimi i abstinencës, është mirë të jetë, gjithmonë, në plan të parë, në kuadrin e masave për edukimit shëndetësor të të rinjve, por “vetëm abstinencë”, sot, është, absolutisht, e pazbatueshme për shumicën e të rinjve. Le të jemi të arsyeshëm dhe t’u mësojmë të rinjve të përdorin kondomin.
Që në momentin që adoleshentët zgjedhin të bëhen seksualisht aktivë, ata duhet të kuptojnë, se duhet të përdorin kondomin që nga marrëdhënia e parë seksuale e mirëfilltë dhe vazhdimisht gjatë gjithë jetës.

Kondomet mashkullore dhe SST
Kondomi është mënyra e vetme për kontrollin e lindjes që në të njëjtën kohë pengon edhe përhapjen e sëmundjeve infektive seksuale. Të gjitha metodat e tjera kontraceptive, nuk mbrojnë nga infeksionet seksuale. Me gjithë këto avantazhe që kanë kondomet, ato nuk janë akoma “seksi i sigurtë”. Ato janë, vetëm, një pjesë e “seksit më të sigurtë”.
Në konkluzionet e workshopit: “Scientific Evidence on Condom Effectiveness for Sexualy Transmitted Deseases Prevention” të muajit Qershor të vitit 2001, të dy instituteve tw rwndwsishme amerikane:“The National Institut of Health” dhe “National Institut of Allergy and Infectious Diseases”, thuhet:
Kondomet nuk sigurojnë uljen e transmetimit të human papiloma virus (HPV) ose të Trichomonas vaginalis.

• Transmetimi i sifilizit pakësohet në masën 29%, kur kondomi përdoret në mënyrë tipike. Ai pakësohet në 50 deri 71%, kur kondomi përdoret korrekt dhe 100% të herëve që bëhet seks.

• Transmetimi i Gonoresë dhe Chlamidias ulet në rreth 50% edhe atëherë kur kondomet janë përdorur 100% të herëve që bëhet seks.

• Transmetimi i herpes genitalis pakësohet rreth 40%

• Transmetimi i Virusit të Deficiencës Humane (HIV), pakësohet në 85%, kur kondomet përdoren korrekt në 100% të herëve që bëhet seks.

Anët pozitive të kondomeve:
• Janë një nga format e kontrollit të lindjes, që sigurojnë dhe pakësimin e transmetimin të SIS.
• Kondomet janë të lira dhe gjenden lehtësisht.
• Nuk kanë fenomene anësore, përveç rasteve të alergjisë ndaj lateksit.
• Nuk duhet recetë për to.
• Kondomet janë një gjë e vogël dhe mbahen lehtësisht. Ato flaken pas përdorimit.

Anët negative të kondomeve:
• Disa burra ankohen se kondomet u ulin ndjeshmërinë.
• Vendosja e tyre ndërpret lojën seksuale.
• Ato kërkojnë përdorim të mençur dhe të vazhdueshëm.
• Gjatë përdorimit tipik, ato dështojnë në 14% të grave, kur është fjala për shtatzënitë e padëshiruara.
• Ato e spostojnë përgjegjësinë e kontracepsionit më shumë tek partneri mashkull.
Nga sa thamë, duket qartë se kondomet pengojnë shtatzënitë e padëshiruara dhe transmetimin e sëmundjeve infektive seksuale (SIS). Ato pakësojnë shanset për infektim të partnerit gjatë kontaktit seksual, por ato nuk e ndalojnë qind për qind infektimin.



Main menu 2