Jump to Navigation

Cilat janë shenjat e lindjes?

Fillimi i dhimbjeve është fillimi i lindjes. Ju do të filloni të ndjeni shtrëngime të forta të barkut. Kjo ndodh, sepse muskujt e mitrës tkurren, në mënyrë që të ndihmojnë shtytjen e bebit gjatë lindjes.

Aktiviteti i lindjes ka filluar nëse:
Shtrëngimet janë duke u bërë më të forta, në vend që të dobësohen. Ju do t’i ndjeni këto shtrëngime në të gjithë barkun. Shtrëngimet e tua janë të rregullta (ju i ndjeni ato çdo 5 minuta) dhe nëse ato bëhen gjithmonë e më të dhimbshme.
Keni rrjedhje ngjyrë rozë ose me vija gjaku nga poshtë. Plasin ujërat. Mund të jetë një çurg i hollë ose një rrjedhje e pakët lëngu nga vagina. Shtrëngimet nuk largohen kur ju ecni ose ndryshoni pozicion.

A duhet të shkoj në spital menjëherë?
Shumica e grave ndihen të lehtësuara kur fillon lindja. Eshtë gjithashtu normale të ndiheni nervoze. Nuk duhet t’ju kapë paniku!
Mund të qëndroni në shtëpi edhe për paknëse:
• jeni në fazën e hershme të lindjes
• ndiheni e qetë
• keni patur shtatzëni normale

Gjatë kësaj kohe mund të jetë e dobishme:
• të ecni dhe të lëvizni në periudhën ndërmjet shtrëngimeve
• të merreni me punë të vogla nëpër shtëpi (punë të lehta pa ngritje peshash)
• të bëni një dush me ujë të vakët dhe të fërkoni (masazhoni) lehtë kurrizin
Mund të hani ose të pini normalisht, duke respektuar këshillat e personelit shëndetësor.

Kujdes! Nëse jetoni larg spitalit ose nëse kjo është shtatzënia juaj e parë, ju duhet të shkoni më shpejt në spital.

Çfarë do të ndodhë kur të shkoj në spital?
Kur të shkoni në spital do t’ju bëjnë një vizitë për të parë se sa afër lindjes jeni. Nëse nuk jeni për të lindur, mund t’ju dërgojnë në shtëpi. Nëse aktiviteti i lindjes ka filluar një
mami do t’ju çojë në dhomën e paralindjes. Do të veshni një fustan spitali dhe mamia do t’ju masë pulsin, temperaturën dhe tensionin. Pas kësaj do të bëni një kontroll nga poshtë/vaginës për të parë nëse qafa e mitrës ka filluar të zgjerohet. Kjo gjë tregon se sa afër lindjes jeni.

Çfarë ndodh gjatë lindjes?
Një mami do të jetë gjithmonë aty për t’ju ndihmuar juve dhe bebin tuaj përpara, gjatë dhe pas lindjes.
Planifikoni të keni dikë me vete, që t’ju japë zemër, t’ju kujtojë të merrni frymë thellë apo thjesht t’ju mbajë dorën.
Megjithëse shtrëngimet e barkut japin dhimbje, kujtohuni që ju po ndihmoni bebin tuaj të lindë. Mundohuni të qetësoheni midis shtrëngimeve. Kujtohuni që kjo do të mbarojë shpejt!
Kur qafa e mitrës të jetë tërësisht e hapur ju do të shtyni bebin të dalë nga vagina (kanali i lindjes). Doktori dhe mamia do t’ju ndihmojnë. Mos shtyni nëse ata nuk jua kërkojnë një gjë të tillë.
Mbase ju mund të keni nevojë për një prerje të vogël, për të zgjeruar hapjen e vaginës. Kjo quhet një epiziotomi. Mos nguroni të kërkoni një ilaç kundër dhimbjeve nëse keni nevojë për të.

Çfarë lloj lindjeje do të bëj unë?
Shumica e grave bëjnë një lindje natyrale (nga vagina). Disa gra kryejnë lindje me operacion (cezareane). Lindja me operacion kryhet kur lindja natyrale nuk është e sigurt për shëndetin e bebit dhe të nënës.

Çfarë ndodh menjëherë pas lindjes me mua dhe bebin?
Sapo lind, bebi vendoset menjëhere mbi trupin e nënës “lëkurë në lëkurë”. Ky është një moment tepër i veçantë për nënën dhe fëmijën. Doktori apo mamia do ta pastrojnë bebin dhe do ta mbulojnë me një batanije të ngrohtë ose do ta vendosin në një tavolinë ngrohëse.
Doktori apo mamia do ta peshojnë bebin tuaj dhe do t’i vendosin një numër në dorë, numër që është njësoj me numrin që edhe ju keni në dorën tuaj.
Bebin tuaj e dërgojnë në infermieri për larjen e parë dhe për t’i bërë një kontroll të përgjithshëm shëndetësor. Ndërkohë që ju qetësoheni pas lindjes mjeku dhe infermierja duhet të kujdesen për ju.
Mamia do t’ju fërkojë barkun që të mbajë mitrën në vend dhe të kufizojë gjakrrjedhjen. Pas pak orësh do t’ju çojnë në dhomën tuaj, ku do të mund të ngriheni dhe të ecni përqark. Kjo do t’ju ndihmojë të ndiheni më mirë. Sigurohuni që krevati i bebit të jetë pranë krevatit tuaj. Kështu do të mund të kujdeseni më mirë për të.

 



Main menu 2