Jump to Navigation

Trendafili i eger

(Rosa canina L.)

Emërtimi në gjuhën popullore: Bythëkromë, koça, krocë, kromë, rodhostan i egër, trandafil qeni, tharë e kuqe, krym - bythke, kaçibardh.

Përshkrimi: Është shkurre (bimë shumëvjeçare) që rritet 2-4 m e lartë, me degë të përkulura të holla, të mbuluar me lëkurë të lëmuar në ngjyrë kafe në të kuqe dhe të pajisur me gjemba të fortë, të shkurtër me majë të hollë e me bazë të gjerë. Gjethet e këmbyera i ka me 5-7 fletëza vezake, të dhëmbëzuara e me formë vezake. Lulet janë rozë ose dhe të bardha 4-5 cm të gjëra. Frutat janë eliptik, me ngjyrë të kuqe në portokalli, të lëmuar. Në brendësi kanë plot farëra. Trëndafili i egër lulëzon gjatë muajve Korrik, ndërsa frutat i pjek në vjeshtë.

Përhapja gjeografike: Trëndafili i egër rritet nëpër pyje, livadhe, gjatë luginave të lumenjve, anash arave etj.

Toka dhe klima: Trëndafili i egër nuk ka shumë kërkesa lidhur me tokën. Kjo bimë i reziston thatësirës dhe të ftohtit, dhe rritet në zonën mesdhetare dhe në atë të ulët e të mesme malore.

Kultivimi: Megjithëse trëndafili i egër është kaq i përhapur, ka ardhur koha e kultivimit pasi kjo bimë me vlera të larta është dëmtuar e për rrjedhojë është pakësuar shumë. Kultivimi i saj është me leverdi ekonomike. Shumëzimi bëhet me rrugë vegjetative ose me farë. Më ekonomike është rruga vegjetative (me anë të kalemave dhe të këmbëzave). Për këtë nga bimët mëmë priten kalema ose këmbëza me gjatësi rreth 20 cm me 3-4 sytha. Kalemat nxirren në vjeshtë ose në pranverë (sa më herët përpara fillimit të vegjetacionit) dhe vendosen menjëherë në fidanishte. Fidanishtja përgatitet me vullaja (siç kemi përmendur për bimët e tjera). Kalemat futen 5-6 cm në tokë me largësi 10-20 cm. Fidanët që rrënjëzojnë në pranverë mbillen në vendin e përhershëm po në këtë periudhë, gjithashtu edhe ato që rrënjëzojnë në vjeshtë, mbillen në vjeshtë.
Koha më e përshtatshme për mbjellien e tokave të thata e të pjerrëta është vjeshta. Në toka të mira mund të bëhet mbjellja drejtpërdrejt me kalema të parrënjëzuar. Në këtë mënyrë, kalemat e nxjerrë nga mëma mbillen direkt në arë. Kur mbjellja bëhet me fidanë të rrënjëzuar, fidanishtja para shkuljes së fidanëve vaditet me ujë të bollshëm me qëllim që të mos dëmtohet sistemi rrënjor. Më pas kalemave u priten rrënjët e gjata, u hiqen rrënjët e thata dhe shkurtohen deri në 20 cm nga qafa e rrënjës. Në tokën e përgatitur për mbjellie, vendosen kalemat sipas skemës [2x1] m, për tokat e sheshta, pllajat ose tokat me pjerrësi të vogël dhe [1.5x1] m ose [1x1] m në toka shumë të pjerrëta, në rripa të ngushtë ose në ledhe tarracash. Në qotë se do përdorim plehra organiko kimike, atëherë mbjellja e fidanit bëhet me gropa, ku hidhen edhe plehra, ndërsa në kushtet e mungesës së plehrave, për lehtësi përdoren kunja, duke praktikuar shtrëngimin e fidanit me dheun. Me shërbimet agroteknike, synohet që toka të mbahet e shkrifët dhe e pastër nga barishtet e tjera. Një masë e domosdoshme është krasitja e vazhdueshme e kërcellit dhe heqja e thithakëve. Kjo bën të mundur qe kurorës t’i jepet një formë sa më e përshtatshme.

Vjelja e prodhimit: Koha e vjeljes së frutit është e ndryshme, sipas zonave ku kultivohet. Momenti i vjeljes është kur fruti merr ngjyrë portokalli të çelur.Në këtë kohë fruti kontrollohet që të jetë i fortë, të mos ketë filluar të zbutet apo të rrudhoset, pasi në këtë fazë prishet cilësia e tyre. Vjelja bëhet me dorë, duke këputur vetëm frutat e pjekur, Shkundja me shkop nuk duhet aplikuar.
Prodhimi i pjekur thahet në hije. Fruti i trëndafilit të egër është mjaft i pasur me vitaminë C. Në 100 g fruta të freskëta, gjenden 70-130 mg vitamina C. Nga 1 ha tokë e mbjellë me trëndafil mund të merret një e ardhur prej 180-200 mijë Lekë të reja në vit.

Malli i përgatitur për shitje duhet të ketë këto karakteristika: Në pamje me kokrra të zhvilluara, të pjekura, me madhësi të ndryshme, pa bishta, me ngjyrë të kuqe të çelur deri në të kuqe të errët. Nuk lejohen të mykura, të kalbura dhe të dëmtuara nga insektet. Në sajë të përmbajties së larmishme të vitaminave C, P, provitaminës A, acideve organike, sheqerit, taninës etj, frutat e trëndafilit janë mjaft kurative. Ato përveç si pije freskuese përdoren kundër diarresë, skorbutit (dobësisë, anemisë) dhe për rritjen e rezistencës së organizmit.



Main menu 2