Jump to Navigation

Manxurana

(Majorana hortensias Mnch, sin. Origanum majorana L.)

Emërtimi në gjuhën popullore: manxuranë, rigon manxuranë, nazardinë, nazarane etj.

Përshkrimi: Bimë barishtore shumëvjeçare (në zonat e ftohta një ose dy vjeçare), aromatike, kërcej katër qoshesh, të drejtë, 40-60 cm të lartë. Në fillim me ngjyrë të gjelbër-hiri me push, më vonë të shogët të murrme. Gjethet janë të qëndrueshme, të kundrejta, me bisht të shkurtër, vezake, 2 cm të gjata dhe 1 cm të gjëra. Lulet e shumta të vogla me ngjyrë të bardhë ose rozë, janë të vendosura në lulesë në formë kalliri dhe dalin nga sqetullat e sipërme të gjetheve. Lulëzon nga fundi i muajit Qershor dhe Korrik. Frutet janë shumë të vegjël vezakë ose afërsisht sferikë.

Përhapja: Është bimë aromatike tipike e Mesdheut lindor. Nuk rritet në mënyrë spontane në vendin tone, por është kultivuar dhe vazhdon të kultivohet.

Klima dhe toka: Shkon në toka karbonatike e gurishtore të thata, por rezultate shumë të mira merren në toka të lehta, të thella dhe të pasura me humus. Është bimë që kërkon lagështi e nxehtësi dhe nuk u reziston ngricave të vonshme. Nuk rritet në toka të rënda e të ftohta.

Kultivimi: Shumëzohet me farë ose në mënyrë vegjetative (me shpatulla). Rezultate më të mira jep mbjellja me fidanë.
Në parcelat e prodhimit manxurana mbillet me farë ose me fidanë të përgatitur në farishtore sipas mënyrave të mëposhtme:
1. Mbjellja me fidanë të rrënjëzuar.
Fidanët përgatiten në fidanishte në shtretër të ftohtë apo të nxehtë në zonat e ftohta. Kur fidanët janë forcuar dhe rrënjëzuar, rrallohen duke i lënë në largësi 5 – 10 cm dhe kur arrijnë gjatësinë 4 – 6 cm, janë të gatshëm për mbjellie.Rregullisht duhet 5 gr/m2 dhe të gjitha shërbimet kryhen si tek kulturat e tjera. Për 1 ha sipërfaqe të kultivuar, fidanët mund të sigurohen në 100 m2 farishtore.
2. Shumëzimi vegjetativ.
Për shumëzimin vegjetativ, përgatiten shpatullat me gjatësi 12 – 17 cm, të cilat nxirren gjatë muajve Shkurt – Mars dhe më pas mbillen mënjëherë në vullaja me skemë 10 – 15 cm x 15 – 18 cm. Gjatë verës ujiten dhe prashiten. Pastaj nga fundi i vjeshtës ose fillimi i pranverës pasardhëse mbillen në parcelat e destinuara për prodhim.

Mbjellja dhe shërbimet në parcelat e prodhimit: Toka punohet në vjeshtë ku hidhet dhe pleh inorganik (sepse plehu organik i jep shije të keqe bimës) si superfosfat, ure etj. Gjatë dimrit toka mbahet e kulluar dhe në pranverë bëhet punimi i dytë, diskimi dhe nivelimi. Mbjellja me fidanë në fushë bëhet në muajin Maj, në fole me skemë [20 – 40 x 10 – 15] cm. Në çdo fole mbillen tre fidanë. Gjatë kësaj kohe fidanët kanë nevojë për shërbime kulturale.

Pjesët që vlerësohen: I vlerësohet e gjithë pjesa mbitokësore.

Vjelja e prodhimit: Korret kur është në lulëzim të plotë, në lartësi 8 – 10 cm mbi tokë. Tharja bëhet mbi trina dhe nuk duhet të laget. Përdoret për prodhimin e taninës. Përmban edhe rrëshirë, hidrokarbure ciklike (terpen) dhe lëndë të hidhura, alkole etj.



Main menu 2