Jump to Navigation

Infeksionet Urinare

Shenjat (Simptomat)
Jo çdokush me një infeksion urinar ka shenjat tipike të tij, por kur janë të pranishme, ato zhvillohen shpejt dhe janë :
• Urgjencë e vazhdueshme dhe e fortë për të urinuar
• Një ndjesi djegieje gjatë aktit të urinimit
• Urinime të shpeshta dhe në sasi të pakët
• Hezitimi (ndjesia sikur nuk urinojmë dot apo nuk zbrazim plotësisht fshikëzën)
• Gjak në urinë (urinë e kuqe) apo urinë e turbullt, erë të rëndë
• Urinimi gjatë natës (nikturia)

Të gjithë njerëzit janë të rrezikuar për t’u prekur nga infeksionet e rrugëve urinare. Por, më të rrezikuar janë ata pacientë që kanë anomali të lindura të veshkës, si polistoza renale, që kanë gur në aparatin urinar, anomali të kanaleve urinare (megaureter) dhe uretër shumë të përdredhur. Por dhe njerëz me rezistencë të ulët, sidomos ata që përdorin citostatikë, kortizonikë, pacientë me infeksione gjinekologjike, diabetikët, numri i të cilëve vjen në rritje. Në të njëjtën kohë dhe ndërhyrjet kirurgjikale që përdorin kateter, të paralizuarit që nuk arrijnë të bëjnë zbrazjen e fshikëzës dhe personat që nuk tregohen shumë të kujdesshëm në higjienën personale janë të riskuar për infeksione urinare. Infeksionet e rrugëve të poshtme janë më të shpeshta tek gratë se te burrat, për arsye të vetë ndërtimit të uretrës ( kanalit të jashtëm) që është më i shkurtër dhe më afër anusit (kanalit të jashtëqitjes). Infeksionet urinare zenë vendin e dytë pas atyre të traktit respirator, për sa i përket shpeshtësisë. Femrat kanë një risk më të madh sesa burrat për të zhvilluar infeksion urinar. Infeksionet urinare tek fëmijët e vegjël janë kambanë alarmi, sepse mund të jenë shprehje e një anomalie të lindur strukturale të sistemit urinar.

Arsyet dhe shkaqet Sistemi urinar është krijuar për të formuar, mbledhur dhe eliminuar urinën nga trupi ynë. Urina në vetvete është sterile, por prishja e mekanizmave normale të mbrojtjes bën që mikrobet të ngjiten dhe të shumohen në fshikëzën e urinës e më lart. Infeksionet më të zakonshme të sistemit urinar ndodhin tek femrat dhe prekin fshikëzën dhe uretrën. Infeksionet e fshikëzës (cistiti) shkaktohen zakonisht (deri 90%) nga Escherichia coli (E. coli), një lloj mikrobi që gjendet në traktin tretës. Akti seksual mund të çojë në cistit, por një femër mund të zhvillojë infeksion të traktit urinar edhe pa pasur jetë aktive seksuale. Të gjitha femrat janë shumë të predispozuara për të zhvilluar cistite falë anatomisë së traktit të tyre urinar, sidomos afërsisë së uretrës së tyre me anusin dhe distancës së shkurtër nga hapja uretrale në fshikezën e urinës. Infeksionet e uretrës (uretriti) ndodhin kur bakteret nga zorra e trashë dhe anusi kalojnë për në uretër.

Të mos harrojmë prostatitet të cilat janë infeksione të prostatës tek burrat dhe kanë veç shenjave shumë të theksuara (djegie gjatë urinimit, urinime të shpeshta në sasi të pakët, dhimbje në fund të barkut.

Faktorët e riskut
Disa njerëz mund të zhvillojnë më shumë dhe më shpesh infeksione se të tjerët, të cilat janë:
Gjinia femër. 50% e tyre zhvillon një infeksion urinar në një moment të caktuar të jetës së tyre dhe shumë prej tyre mund të zhvillojnë më shumë se një të tillë.
Jeta aktive seksuale. Femrat me jetë seksuale aktive janë më të prirura për të zhvilluar më shumë infeksione urinare. Akti seksual mund të irritojë uretrën, duke predispozuar bakteret të udhëtojnë me lehtë deri në vezikë. Madje, kulmi i infeksioneve urinare të femrat arrin në “muajin e mjaltit” apo me fillimin e aktivitetit seksual.
Mosha. Pas menopauzës, infeksionet urinare mund të shtohen, pasi indet e vaginës, të uretrës dhe baza e fshikëzës bëhen më të holla dhe më të brishta nga humbja e estrogjeneve që i mbajnë këto inde vitale.
Gurët në veshka apo çdo lloj dëmtim i traktit urinar (edhe hipertrofia beninje e prostatës, e cila haset shpesh tek burrat mbi 60 vjeç, rrit incidencën), duke penguar rrjedhjen normale të urinës.
Diabeti dhe sëmundjet e tjera kronike të cilat ulin mbrojtjen imunitare.
Përdorimi i zgjatur i kateterave urinare.
Imobilizimi (qendrimi për një kohë shumë të gjatë në shtrat – pas frakturave të ndryshme) Metodat kontraceptive, shtatzënia dhe higjiena e ulët.

Si mund të parandalohen?
• Çdo individi i kërkohet të ketë një higjienë personale sa më të mirë.
• Të mos mbajë urinën, por të zbrazë fshikëzën sa herë që ndjen nevojën për të urinuar.
• Të pijë sa më shumë lëngje pa gaz.
• Të mos pijë alkool.
• Të mjekojë vatra të tjera infeksioni kudo që mund të ketë si: dhëmbë të prishur, grykët, infeksione të veshit, hundës dhe të rrugëve të frymëmarrjes.
• Të luftojë e mjekojë si duhet sëmundjet e tjera favorizuese si: hipertensioni arterial, diabeti etj.
• Gratë shtatzëna duhet të bëjnë kontrolle të shpeshta me analizë urine.

Komplikimet
Nëse trajtohet me kujdes dhe si duhet, infeksioni urinar rrallëherë çon në komplikacione, po nëse nuk trajtohet mund të bëhet serioz. Infeksionet urinare të patrajtuara mund të çojnë në infeksion të veshkës (pielonefrit) akut apo kronik, i cili dëmton në mënyrë të vazhdueshme veshkën. Fëmijët dhe të rinjtë kanë një risk më të lartë për dëmtim renal pas infeksioneve, pasi simptomat neglizhohen apo ngatërrohen me kushte të tjera. Gratë shtatzëna që kanë infeksione urinare, kanë një risk të lartë për të lindur fëmijë prematurë apo me peshë të vogël (hipotrofe). Gratë të cilat kanë zhvilluar tre apo më shumë infeksione urinare, ka të ngjarë të vazhdojnë të bëjnë përsëri.

Mjekimi
Mjekimi bëhet sipas shkakut dhe duhet bërë nga mjeku, sipas një urokulture (mbjellje të urinës) e të mos përdoren antibiotikë të ndryshëm të marrë pa rekomandimin e mjekut, i cili duhet të jetë i vetmi që të bëjë vlerësimin e rastit, të përcaktojë mjekimin dhe kohëzgjatjen e tij. Mjekimi pa kriter çon në kandidozë (myk) dhe dëmtim të mëlçisë apo rezistencë mikrobale.

Nga Dr. Ened Kacorri



Main menu 2