Jump to Navigation

Trifas Cor (tableta)

Përbërja
1 tabletë përmban 5 mg torasemid, si lëndë me veprim farmakologjik. Torasemidi gjendet në trajtën e polimorfit I (forma e qëndrushme) Përbërës të tjerë: laktozë monohidrat, niseshte misri, silicë koloidale anhidër, stearat magnezi (Ph. Eur.)

1. ÇFARË ËSHTË TRIFAS® COR DHE PËR ÇFARË PËRDORET?
Trifas® Cor është një bar që rrit sasinë (vëllimin) e urinës dhe që pakëson presionin e gjakut. Ai përket grupit të barnave që njihen me emrin “diuretikët e ansës”.
Trifas® Cor përdoret për trajtimin dhe parandalimin e rishfaqjes së grumbullimit të ujit në inde (edemave) dhe/ose zgavrat (kavitetet) e trupit (efuzioneve) për shkak të pamjaftueshmërisë së punës së zemrës.

2. ÇFARË DUHET TË KENI PARASYSH PËRPARA SE TË PËRDORNI TRIFAS® Cor?
Trifas® Cor nuk duhet të përdoret:
- në rast se keni mbindjeshmëri ndaj lëndës vepruese (torasemidit), lëndëve me strukturë të ngjashme me atë (sulfoniluretë) apo ndaj çdonjërit prej përbërësve të tjerë të Trifas®Cor;
- në pamjaftueshmërinë e veshkave, kur mungon prodhimi i urinës (anuri);
- në çrregullimet e formave të rënda të funksionit të mëlçisë, që shoqërohen me mjegullim të ndërgjegjes (komë ose prekomë hepatike);
- në uljen patologjike të presionit të gjakut (hypotension);
- në pakësimin e vëllimit të gjakut (hypovolemi)
- në pakësimin e sasisë së natriumit ose kaliumit në gjak (hyponatremi, hypoalaemia);
- në çregullimet madhore të fluksit të urinës (p.sh për shkak të zmadhimit të prostatës);
- në rast se ushqeni fëmijën me qumështin e gjirit.
Gjatë përdorimit të Trifas® Cor nevojitet kujdes i veçantë

Meqenëse mungon përvoja e nevojshme, Trifas® Cor nuk duhet të përdoret në:
- podagër (gutë);
- në kushtet e çrregullimit të funksionit të pejsmekerit të zemrës apo të përçimit të impulsit në zemër (p.sh. bllok SA, bllok AV i shkallës së 2të ose 3 të);
- gjatë ndryshimeve patologjike të balancës acido-bazike;
- në mjekimin e njëkohshëm me litium ose disa lloj antibiotikësh (aminoglikozidë, cefalosporina);
- gjatë ndryshimeve patologjike të numrit të qelizave të gjakut (p.sh. trombocitopeni ose anemi, në pacientë me çrregullim të funksionit të veshkave);
- në kushtet e çrregullimit të funksionit të veshkave si pasojë e pranisë së substancave që dëmtojnë (toksike) veshkat.

Fëmijët në 12 vjeç
Meqenëse mungon përvoja e nevojshme, Trifas® Cor nuk duhet të përdoret në fëmijët në 12 vjeç.

Shtatzënia
Deri tani, mungon përvoja e nevojshme klinike lidhur me efektet e Trifas® Cor mbi fëmijën e palindur (fetus).
Studimet mbi torasemidin, lëndën vepruese të Trifas® Cor, të kryera në kafshë, nuk tregojnë veprime teratogjene të tij. Megjithatë, pas përdorimit të dozave të mëdha, tek fetuset e kafshëve dhe tek nënat e tyre janë vërejtur veprime të dëmshme. Për sa kohë që mungojnë të dhëna të tjera, përdorimi i Trifas® Cor gjatë shtatzënisë lejohet vetëm kur mjeku e vlerëson absolutisht të nevojshëm. Në këtë rast duhet të
përdoret doza më e vogël e mundshme.
Për këto arsye, në rast se planifikoni të mbeteni shtatzënë ose jeni shtatzënë, njoftoni menjëherë mjekun.

Periudha e ushqyerjes me gji
Nuk ka të dhëna lidhur me kalimin e torasemidit, lëndës vepruese të Trifas® Cor, në qumështin e gjirit të gruas apo të kafshëve. Për këtë arsye, Trifas® Cor nuk duhet të përdoret gjatë periudhës së ushqyerjes së fëmijës me qumësht gjiri. Në rast se mjeku vendos që ju duhet të përdorni Trifas® Cor, atëhere fillimisht duhet të ndërprisni ushqyerjen e mëtejshme të fëmijës me gji.

Aftësia për të drejtuar automjete dhe përdorur makineri
Edhe në rast kur përdoret siç këshillohet, Trifas® Cor mund të ndryshojë kohën e reagimit në atë masë që, p.sh aftësia për të vepruar në trafik rrugor, për të përdorur makineri apo për të punuar pa një mbështetje të sigurtë, të dëmtohet. Kjo është më tepër e theksuar në fillim të trajtimit, kur rriten dozat, kur ndryshon preparati, kur shtohen barna të tjerë ose kur përdoret alkool.
Paralajmërime të rëndësishme lidhur me përbërësit e tjerë të Trifas® Cor
Trifas® Cor përmban laktozë. Në rast se vuani nga intoleranca ndaj sheqernave përpara se të përdorni Trifas® Cor këshillohuni me mjekun.

Ndërveprimet me barna të tjerë
Njoftoni mjekun ose farmacistin në rast se keni përdorur përpara pak kohësh ose jeni duke përdorur barna të tjerë, përfshi edhe ato që merren pa recetë mjekësore.
Kjo vlen edhe për barna që keni përdorur kohët e fundit.
Trifas® Cor shton efektin e barnave të tjerë që përdoren për të ulur presionin e rritur të gjakut, veçanërisht të barnave frenues të ACE. Kur frenuesit e ACE përdoren njëkohësisht ose menjëherë pas Trifas® Cor, mund të shfaqet një rënie e theksuar e presionit të gjakut.
Pakësimi i kaliumit në gjak, si pasojë e veprimit të Trifas® Cor mund të shtojë dhe të ashpërsojë efektet e padëshiruara të barnave që përmbajnë digital, kur ato merren së bashku.
Trifas® Cor mund të pakësojë efikasitetin e barnave që përdoren për trajtimin e diabetit.
Probenecidi (bar për trajtimin e podagrës) dhe disa barna antiinflamatorë (p.shg. indometacina, acidi acetilsalicilik) mund të dobësojnë veprimin e Trifas® Cor në rritjen e vëllimit të urinës apo në uljen e presionit të gjakut.
Gjatë trajtimit me salicilate (barna për trajtimin e dhimbjes dhe rheumatizmës) në doza të larta, Trifas® Cor mund të fuqizojë efektet e tyre mbi sistemin nervor qendror.
Trifas® Cor, veçanërisht gjatë trajtimit me doza të larta, mund të fuqizojë efektet e padëshiruara të më poshtme:
Efektet e dëmshme mbi dëgjimin dhe veshkat të antibiotikëve amniglikozidikë (p.sh. kanamicinës, gentamicinës, tobramicinës), të preparateve të cisplatinës (bar që frenon rritjen qelizore dhe që përdoret në trajtimin e kancerit), si dhe veprimet e dëmshme në veshka të cefalosporinave (barna për trajtimin e infeksioneve)).
Trifas® Cor mund të shtojë efektet e teofilinës (bar për trajtimin e astmës), si dhe veprimin relaksues mbi muskujt (miorelaksant) të barnave të tipit të kurares. Efektet e padëshiruara të laksativëve apo të hormoneve të korteksit të gjëndrës mbiveshkore (mineralo- dhe glukokortikoidët, p.sh. kortizoni) mund të shtohen nga humbja e mëtejshme e kaliumit që shkakton Trifas® Cor. Përdorimi i njëkohshëm i Trifas® Cor mund të shtojë përqendrimet e litiumit në gjak dhe, për pasojë, edhe efektet e padëshiruara në zemër dhe veshka të tij. Trifas® Cor mund të pakësojë ndjeshmërinë e arterieve ndaj barnave që përdoren për
ngushtimin e tyre (p.sh. adrenalinës, noradrenalinës).
Përdorimi i njëkohshëm i kolestiraminës (bar që pakëson yndyrnat në gjak) mund të pakësojë përthithjen e Trifas® Cor nga trakti gastrointestinal dhe, për pasojë, edhe efektet e tij.

3. SI DUHET TË PËRDORET TRIFAS® COR?
Përdoreni Trifas® Cor gjithmonë sipas udhëzimeve të mjekut tuaj. Në rast se nuk jeni plotësisht të sigurtë pyetni edhe një herë mjekun ose farmacistin.
Mënyra e përdorimit
Përdorimi nga goja
Në rast se mjeku nuk ju ka këshilluar ta përdorni ndryshe, doza e zakonshme është:
Trajtimi fillohet me 1 tabletë Trifas® Cor (5 mg torasemid) në ditë.
Zakonisht, kjo është edhe doza mbajtëse.
Në rast se doza normale prej 1 tabletë Trifas® Cor (5 mg torasemid) në ditë nuk jep një veprim të mjaftueshëm, mund të jepen dy tableta Trifas® Cor (10 mg torasemid) në ditë.
Tabletat Trifas® Cor (10 mg torasemid) merren çdo ditë. Në rastet kur kjo dozë nuk jep një veprim të mjaftueshëm, doza mund të rritet deri në 20 mg torasemid në ditë, në varësi të rëndesës së sëmundjes.
Në rastet kur është e nevojshme që të merren 10 mg, ose më tepër, torasemid në ditë mund të përdoren tabletat Trifas® 10.

Ndarja përgjysmë e tabletës:
Tabletat mund të ndahen lehtësisht përgjysmë; ky fakt mundëson përshtatjen e dozës sipas kërkesave individuale.
Vendoset tableta mbi një sipërfaqe të fortë, me vijën ndarëse lart. Vendosen gishtat e mëdhenj të duarve në të dy anët e vijës (brazdës) ndarëse dhe ushtrohet presion mbi tabletën përkundrejtë sipërfaqes. Ky veprim mundëson ndarjen me lehtësi të tabletës.

Pacientët me dëmtim të funksionit të mëlçisë
Në pacientët me dëmtim të funksionit të mëlçisë nevojitet një kujdes i veçantë pasi përqendrimet plazmatike të toresemidit mund të jenë të rritura.

Të moshuarit
Tek të moshuarit nuk është e nevojshme përshtatja e dozës.
Tabletat merren (pihen) në mëngjes, duke u gëlltitur pa u përtypur, të shoqëruara me pak lëng. Tabletat Trifas® Cor mund të merren njëkohësisht me ushqimin ose jo.

Kohëzgjatja e përdorimit përcaktohet nga mjeku.
Njoftoni mjekun në rast se keni përshtypjen që veprimi i Trifas® Cor është tepër i fuqishëm ose i mangët.
Në rast se merrni një dozë Trifas® Cor më të madhe nga ajo që duhet:
Marrja, aksidentalisht ose me paramendim, e një sasie të madhe të Trifas® Cor mund të shkaktojë një ekskretim të shtuar, potencialisht të rrezikshëm, të kripës dhe ujit, si edhe çrregullim të ndërgjegjes, konfuzion, rënie të presionit arterial, kolaps të qarkullimit të gjakut dhe ankesa gastrointestinale.
Në këto raste, njoftoni menjëherë mjekun, i cili do të marrë masat e nevojshme.

Në rast se harroni të merrni dozen e Trifas® Cor:
Në rast se merrni një dozë tepër të vogël ose harroni të merrni dozën e Trifas® Cor, efekti i barit dobësohet. Kjo mund të shoqërohet me përkesësim të ankesave tuaja, shtim në peshë, shtim të grumbullimit të ujit në inde, etj.
Në këto raste ju duhet ta merrni dozën sa më shpejt të jetë e mundur. Megjithatë, në rast se kujtoheni ndërkohë që po afron momenti për të marrë dozën tjetër nuk është e nevojshme që të merrni një dozë shtesë, por thjesht merrni dozën e rradhës dhe vazhdoni mjekimin ashtu siç ju ka këshilluar mjeku.

Çfarë ndodh në rast se trajtimi me Trifas® Cor ndërpritet:
Në rast se mjekimi ndërpritet ose përfundon para kohës së duhur shqetësimet e juaja do të përkeqësohen. Për këtë arsye, për asnjë shkak, mjekimi me Trifas® Cor nuk duhet të ndërpritet ose përfunduar para kohës së duhur pa u këshilluar më parë me mjekun.

4. CILAT JANË EFEKTET E PADËSHIRUARA TË MUNDSHME?
Ashtu si të gjithë barnat, Trifas® Cor mund të shkaktojë efekte të padëshiruara.
sidoqoftë, efektet e padëshiruara nuk shfaqen tek të gjithë pacientët. Efektet e padëshiruara, të njohura për Trifas® Cor apo diuretikët etjerë të ansës, përshkruhen më poshtë.
Vlerësimi i efekteve të padëshiruara është bërë sipas shpeshtësisë së më poshtme:
Shumë të zakonshme: Më shumë se 1 në 10 pacientë të trajtuar
Të zakonshme: Më pak se 1 në 10, por më shumë se 1 në 100 pacientë të trajtuar
Jo të zakonshme: Më pak se 1 në 100, por më shumë se 1 në 1,000 pacientë të trajtuar
Të rralla: Më pak se 1 në 1,000, por më shumë se 1 në 10,000 pacientë të trajtuar
Shumë të rralla: Më pak se 1 në 10,000 pacientë të trajtuar, përfshi edhe rastet e veçuara

Efektet e padëshiruara
Metabolizmi /elektrolitët
Të zakonshme: Dëmtim i balancës acido/bazike (alkalozë metabolike). Krampe muskulare (veçanërisht në fillim të trajtimit). Rritje e përqendrimit të acidit urik, glukozës dhe yndyrnave (trigliceride, kolesterol) në gjak. Pakësim i nivelit të kaliumit në gjak (hypokalemi), sidomos kur marrja e kaliumit me ushqime është e mangët, kur pacienti ka të vjella, diarre, përdor me tepricë barna laksativë ose vuan nga çrregullime kronike të funksionit të mëlçisë. Në varësi të dozës dhe kohë zgjatjes së mjekimit mund të shfaqen çrregullime të balancës së kripërave dhe ujit, sidomos pakësim i ujit në gjak (hypovolemi), pakësim i kaliumit dhe/ose natriumit (hypokalemi dhe/ose hyponatremi).
Kardiovaskulare
Shumë të rralla: Për shkak të shtimit të viskozitetit (trashjes) së gjakut, mund të shfaqen ndërlikime tromboembolike, gjendje konfuzionale, rënie e presionit të gjakut (hypotension), si dhe çrregullime të qarkullimit të gjakut apo pakësim i fluksit të tij në muskulin e zemrës ose në në tru. Këto gjendje mund të shkaktojnë, p.sh. çrregullime të ritmit të zemrës (aritmi), ndjesi të shtrëngesës në zonën e gjoksit (angina
pektoris), kriza akute të zemrës ose humbje të papritur të ndërgjegjes (sinkop).
Trakti gastrointestinal
Të zakonshme: Ankesa ose shqetësime gastrointestinale (p.sh. humbje të oreksit, dhimbje të stomakut, të përziera, të vjella, heqje barku, kapsllëk), veçanërisht në fillim të trajtimit.
Shumë të rralla: Inflamacion i pankreasit (pankreatit).
Veshka dhe trakti urinar
Jo të zakonshme:Rritje e nivelit të azotemisë dhe kreatininemisë.
Në pacientët me pengesë në rrugët urinare mund të shfaqet retension i urinës (pamundësi për të zbrazur urinën).
Mëlçia
Të zakonshme: Rritje të nivelit të disa enzimave të mëlçisë (gamma-GT).
Lëkura, reaksionet alergjike
Shumë të rralla: Reaksione alergjike, si p.sh të kruara (prurit), ndryshime inflamatore në lëkurë (ekzantema), mbindjeshmëri ndaj dritës (fotosensibilitet), reaksione të formës së rëndë në lëkurë.
Gjaku dhe formula e gjakut
Shumë të rralla: pakësim i numrit të rruazave të kuqe (eritrociteve), rruazave të bardha (leukociteve) dhe trombociteve.
Të përgjithshme
Të zakonshme: Dhimbje koke, marje mendsh, lodhje, dobësi (veçanërisht në fillim të trajtimit).
Jo të zakonshme:Tharje goje, mpirje ose ndjesi të ftohti në anësi (parestezi).
Shumë të rralla: Çrregullime të pamjes, zhurmë në vesh (tinnitus), humbje të dëgjimit.

Marrja e masave të nevojshme
Në rast se vëreni shfaqjen e ndonjërës prej efekteve të padëshiruara të mësipërme njoftoni mjekun me qëllim qëllim që ai të mund të vlerësojë rëndësinë e tyre dhe të marrë masat e duhura kur është e nevojshme. Në raste kur efektet e padëshiruara shfaqen paparitur ose janë të formës së rëndë njoftoni menjëherë mjekun pasi disa prej efekteve të padëshiruara, në kushte të caktuara, mund të kërcënojnë jetën. I takon mjekut të përcaktojë masat e mëtejshme dhe nëse mjekimi duhet të vazhdohet apo të ndërpritet.
Përdorimi i Trifas® Cor duhet të ndërpritet sapo të shfaqen shenjat e para të mbindjeshmërisë ndaj tij.
Njoftoni mjekun ose farmacistin në rast se ju shfaqen efekte të padëshiruara të ndryshme nga ato që janë përmendur në këtë fletë-udhëzuese.

5. SI DUHET RUAJTUR TRIFAS® COR?
Ruajini barnat në vende të paarritshme nga fëmijët!
Data e skadimi të këtij bari është e shtypur në blister dhe kuti. Mos e përdorni barin përtej kësaj date!



Main menu 2