Jump to Navigation

Kanceri i zorrës së trashë (qarkjes) dhe ai rektal (karcinoma kolorektale)

Gjatë rrugëtimit nëpër organet tretëse (goja, lukthi, zorra e hollë) ushqimi gjithnjë e më tepër do të grimcohet. Mbetjet ushqimore përfundojnë së fundmi në zorrën e trashë (qarkje, colon). Atje ato do të ngjishen dhe do të transportohen në drejtim të daljes nga zorra. Në segmentin e fundit të zorrës së trashë (rectum), feçet do të depozitohen derisa më në fund do të nxirren jashtë përmes anusit (daljes nga zorra). Kanceri i zorrës së trashë krijohet nga qeliza e mukozës, e cila vesh zorrën e trashë nga brenda. I prekur nga kanceri më së shpeshti është segmenti i fundit i zorrës së trashë, rectumi.
Nocionet «kancer i zorrëve» ose «kancer i zorrës së trashë» përdoren për të njëjtën sëmundje. Kjo, për shkak se sëmundjet kanceroze në segmente të tjera të zorrës (zorra e hollë, anusi) paraqiten shumë rrallë, përderisa kanceri i zorrës së trashë i përket llojeve më të shpeshta të kancerit.

Incidenca
Kanceri i zorrës së trashë në këtë mënyrë është lloji i tretë për nga dendësia, tek femrat madje është e dyta me radhë. Kanceri i zorrës së trashë godet para së gjithash të moçmit: 37 % janë pacientë midis 50 dhe 70 vjeç, 57 % mbi 70.

Simptomat
Shpesh kanceri i zorrëve për një kohë të gjatë nuk shkakton simptoma. Kancerin e zorrëve mund ta sinjalizojnë shqetësimet në vijim:
>> Gjaku në fekale (ngjyrim i kuq ose i zi i feçeve).
>> Problemet gjatë jashtëqitjes, psh. presioni për jashtëqitje, pa qenë nevoja për një gjë të tillë
>> Dhimbjet e reja, të papritura, të barkut.
>> Ndryshimi i shprehive të «daljes jashtë», p.sh. alternime të barkqitjes dhe kapsllëkut (diarresë dhe opstipacionit), jashtëqitjes së hollë sa një laps, ngërçeve gjatë jashtëqitjes ose mbufatjeve të forta pa ua ditur

shkaktarin
>> Humbja e padëshirueshme e peshës

Diagnoza dhe ekzaminimet
Ekzaminimi më i rëndësishëm për diagnozën e kancerit në zorrë është koloskopia (imazhi vizual i zorrëve). Me këtë rast do të futet një instrument (endoskopi) përmes anusit drejt zorrës. Zorra do të mund të vëzhgohet nga brenda ekzaktësisht përmes një kamere, ndërsa me ndihmën e instrumenteve specialë do të hiqen (shkëputen) inde për provë. Më vonë këto do të kontrollohen në laborator për prani të qelizave kanceroze.
Për të konstatuar se sa larg mund të ketë shkuar tumori në përhapjen e tij, sipas rrethanash do të realizohen dhe ekzaminime të tjera pamje-dhënëse, si psh. një paraqitje rëntgenologjike e zorrës, një ultratingull i organeve të barkut si dhe tomografia kompjuterike (CT) ose tomografia e rezonancës magnetike (MRT/MRI).
Stadet e sëmundjes
Klasifikimi i stadeve mbështetet në sistemin ndërkombëtar TNM. Me këtë rast gjykohet mbi zgjerimin e tumorit (T), invadimin e nyjave limfatike (N) dhe eventualisht metastazat e pranishme (M). Kanceri i zorrëve klasifikohet si në vijim:
T0 S’ka prezencë tumori
T1 Tumori është i kufizuar në shtresën më të brendshme të murit të zorrës
T2 Tumori është përhapur deri në shtresën muskulore të murit të zorrës
T3 Tumori është përhapur nëpër të gjitha shtresat e murit të zorrës
T4 Tumori ka depërtuar në indet fqinje
Tx Përhapja e tumorit nuk mund të gjykohet
N0 Nuk ka nyja limfatike të invaduara
N1 Tumori ka invaduar një deri tre nyja fqinje limfatike
N2 Tumori ka invaduar katër ose më shumë nyja fqinje limfatike
Nx Për invadimin e nyjave limfatike nuk mund të gjykohet
M0 Nuk ka metastaza
M1 Metastaza në organe të tjera, për shembull në mëlçi ose mushkëri
Mx Prania e metastazave nuk mund të gjykohet

Terapia
Se cila metodë trajtimi do të vihet në veprim varet në mes tjerash se sa ka përparuar tashmë tumori. Kurdo që të jetë e mundur kanceri i zorrës do të hiqet operativisht.
Në qoftë se tumori është në një stad shumë të hershëm, pas ndërhyrjes terapia do të jetë e përfunduar. Tek kanceri i zorrës në stade më të përparuara janë të domosdoshme terapi të tjera. Shpeshherë tumori qysh përpara operacionit do të rrezatohet dhe/ose do të trajtohet me kimioterapi (radio-kimioterapi). Me këtë masë synohet zvogëlimi i tumorit, me qëllim që shpresat për suksesin e operacionit të rriten. Një opsion tjetër trajtimi është një kimioterapi pas përfundimit të operacionit.
Në rast se tumori ka krijuar tashmë metastaza, ekzistojnë mundësi të tjera terapeutike, p.sh. një terapi e kombinuar rrezatimesh dhe kimioterapie ose një trajtim me medikamente moderne (antitrupa monoklonalë, imunoterapi). Një terapi medikamentoze mund të zbusë shqetësimet dhe të zgjasë kohën e mbetur për të jetuar. Disa nga metastazat – sidomos metastazat e mëlçive – mund të reduktohen, madje edhe të hiqen operativisht ose me procedura speciale.

Pasojat e trajtimit
Në rastin e operacionit të kancerit të zorrës tek shumica e pacientëve edhe sot e kësaj dite është e mundur që të ruhet e paprekur porta e natyrshme dalëse e zorrëve, pa qenë nevoja që të vendoset një portë (gojëz) artificiale e përhershme (stoma).
Po qe se tumori është shumë afër derdhjes së zorrës (rektumit), e gjithë dalja e zorrëve bashkë me muskulin në vazhdim duhen hequr dhe duhet vendosur një stomë (gojëz). Përmes një të çare (vrime) në murin e barkut do të tërhiqet fundi i zorrës përjashta dhe do të qepet në murin e barkut. Pas operacionit feçet do të zbrazen përmes stomë-s në një qese speciale, që do të fiksohet sipër lëkurës së barkut. Bërja e natyrshme e nevojës tashmë është e pamundur.

Paskontrollet
Pas përfundimit të trajtimit të kancerit, pacientët duhet ta vizitojnë rregullisht mjekun për kontrollime në kuadër të përkujdesjes shëndetësore të mëpasme. Ai do t’i japë secilit pacient rekomandime individuale se cilat kontrollime në cilin hark kohor janë të domosdoshme.

Faktorët rrezikues
Disa njerëz kanë një rrezikim të shtuar, të kushtëzuar nga vetja ose nga rrethanat familjare, për t’u prekur nga kanceri i zorrës. Situatat rrezikuese janë:
>> Sëmundjet inflamatore kronike të zorrëve, për shembull morbus crohn ose colitis ulcerosa
>> Sëmundje të caktuara të trashëgueshme, në të cilat shfaqen në masë të madhe adenoidet (lungat) mukozave në zorrë, për shembull «Adenomatoza familjare polyposis» (FAP).
>> Sëmundjet kanceroze të zorrëve te më të afërmit, para së gjithash, nëse tumori është shfaqur përpara moshës 50-vjeçare. Vlerësohet se rreth 10–15 % të të gjitha sëmundjeve kanceroze shpjegohen përmes një predispozite trashëgimore.
>> Polipë të shfaqur në zorrë më herët
Personat e prekur do të duhej që qysh në vitet e rinisë të marrin në konsideratë masa për zbulimin e hershëm të kancerit në zorrë.
Edhe kur nuk ekziston ndonjë predispozitë e veçantë për kancer zorrësh, ka faktorë që shtojnë rrezikun nga kanceri i zorrëve:
>> mungesa e lëvizjes
>> mbipesha
>> ushqimi i pashëndetshëm, për shembull me nivel të madh yndyrnash dhe me pak fibra (substanca fibrike).
>> duhanpirja

Parandalimi dhe zbulimi i hershëm
Një stil i shëndoshë jetese mund të ulë rrezikun për një sëmundje të kancerit të zorrës:
>> lëvizja e mjaftueshme
>> pa mbipeshë
>> ushqimi i baraspeshuar me shumë fruta, perime, sallata dhe lëndë fibrike, pak yndyrë dhe pak mish të kuq
>> pa duhanpirje
Për zbulimin e hershëm të kancerit në zorrë janë të favorshme dy metoda: kontrollimi i feçeve për prani gjaku (Testi okult i gjakut; okkult = fshehur) dhe imazhi vizual i zorrëve (koloskopia).
Përmes testit okult të gjakut provohet prania e gjakut në feçe, gjë që vetëm me sy nuk shihet dot, dhe që eventualisht mund të rrjedhë prej ndonjë tumori zorrësh.
Në rastin e koloskopisë do të ekzaminohet mukoza e zorrëve. Me këtë rast mund të merren dhe prova indesh si dhe mund të hiqen lungat më të spikatura mbi mukozë (polipët).
Për të sqaruar se kur dhe në cilin hark kohor janë të arsyeshme masat për zbulimin e hershëm, duhet këshilluar mjeku familjar.



Main menu 2