Jump to Navigation

Kanceri i mitrës (karcinoma endometriale)

Mitra (uterusi) është një organ i zgavërt në formë dardhe i vendosur në legenin e femrës, në të cilin fëmija i palindur rritet deri sa të lindet. Mitra përbëhet nga dy segmente/pjesë: trupi muskulor i mitrës (corpus uteri) i cili nga brenda është i veshur me një mukozë speciale, dhe qafa e mitrës (cervix uteri) bashkë me gojëzën, që arrin gjer në vagjinë.
Brenda mitrës tumorët mund të zhvillohen në vende të ndryshme:
>> Kanceri i mitrës zë fill në shtresën mukozale e cila vesh nga brenda trupin e mitrës (endometrium).
>> Kanceri i qafës së mitrës zhvillohet nga qelizat e qafës së mitrës.
Ndonëse të dyja llojet e kancerit kanë të bëjnë me të njëjtin organ, ata dallohen shumë nga njëri-tjetri, duke qenë se burojnë nga inde të ndryshme. Për pasojë, këtu do të bëhet fjalë vetëm për kancerin e mitrës.

Incidenca
Kjo sëmundje shfaqet rrallë tek femrat më të reja. Mirëpo rreziku nga sëmundja shtohet pas moshës 50-vjeçare: 50 për qind e pacienteve janë midis 50 dhe 70, ndërsa 45 për qind mbi 70 vjeç.

Simptomat
Kanceri në trupin e mitrës në stadin e tij të hershëm nuk shfaq ndonjë shqetësim. Shenjat e para janë gjakrrjedhjet e pazakonshme, ose urinimi me erë të keqe nga vagjina. Çdo gjakrrjedhje nga vagjina, e shfaqur pas menopauzës, duhet sqaruar nga mjekja (gjinekologia).
Në rastin e femrave para menopauzës, gjakrrjedhjet midis menstruacioneve (periodave) ose gjakrrjedhjet intensive të parëndomta gjatë menstruacioneve, mund të jenë indikacione për një sëmundje kanceroze.

Diagnoza dhe ekzaminimet
Për të sqaruar dyshimin për prani të kancerit në mitër, mjekja do të realizojë fillimisht një ekzaminim gjinekologjik, me ç’rast do të shqyrtojë me të prekur edhe mitrën.
Përmes ultratingullit mund të fitohen imazhe të mitrës dhe të organeve tjera në abdomen; me këtë rast në vagjinën e femrës do të futet një sondë-ultratingull (ultratingulli transvaginal).
Në vazhdim do të pasojë një imazh vizual i mitrës (hysteroskopia). Gjatë këtij ekzaminimi një sondë që nga vagjina do të shtyhet përpara deri në zgavrën e mitrës me qëllim vëzhgimi të brendësisë së mitrës. Me këtë rast nga mukoza e mitrës mjekja do të marrë dhe inde për provë, të cilat do të ekzaminohen më pas në laborator. Për të konstatuar se sa është përhapur tashmë tumori në organizëm, sipas rrethanash, do të zbatohen dhe ekzaminime të tjera, për shembull një tomografi kompjuterike ose tomografi e rezonancës magnetike, një imazh i fshikës ose një imazh i zorrës së trashë.

Stadet e sëmundjes
Kanceri i mitrës ndahet në stade të ndryshme. Për këtë qëllim përdoret klasifikimi ndërkombëtar FIGO: FIGO është shkurtesë për Shoqatën ndërkombëtare për gjinekologë dhe ndihmë gjatë lindjes. Kjo organizatë ka përpunuar një sistem përmes të cilit mund të klasifikohen tumorët në organet gjenitale të femrës.
Kanceri në mitër sipas klasifikimit të FIGO-s ndahet si më poshtë:
I Tumori është i kufizuar në trupin e mitrës
II Tumori është përhapur në qafën e mitrës
III Tumori është përhapur jashtë mitrës, mirëpo akoma është i kufizuar në abdomen
IV Tumori ka infiltruar fshikën e urinës ose fundin e zorrës së trashë, ose ka formuar metastaza në organe të tjera, për shembull në mëlçi

Terapia
Se cilat metoda trajtimi do të vihen në veprim varet në mes tjerash se sa ka avancuar tashmë tumori. Kanceri i mitrës pothuajse gjithmonë operohet. Me këtë rast do të hiqen tërësisht mitra, vezëpërçuesit (tubat e Fallopit) dhe vezoret.
Varësisht nga përhapja e tumorit, pas operacionit vjen një terapi rrezatimi (radioterapia). Me këtë rast ekzistojnë dy mundësi rrezatimi:
>> Rrezatimi nga jashtë (radioterapia perkutane/sipërlëkurore): abdomeni rrezatohet nga jashtë me qëllim eliminimi të qelizave kanceroze, të cilat eventualisht mund të jenë akoma të pranishme pas operacionit.
>> Rrezatimi nga brenda (Brachytherapie): Burimet e rrezatimit do të plasohen direkt në segmentin e fundit të vagjinës, me qëllim eliminimi të qelizave të mundshme kanceroze, të cilat eventualisht mund të jenë të pranishme aty ose në indet përreth.
Vetëm kur një operacion duket i pamundur, p.sh. për shkak të gjendjes së keqe shëndetësore të femrës së prekur, kanceri i mitrës do të rrezatohet pa një operacion paraprak.
Në stade të përparuara, kur tumori tashmë ka krijuar metastaza, vijnë në shprehje mundësi të tjera trajtimi: një kimioterapi ose një marrje medikamentesh që frenon ndikimin e hormoneve seksuale femërore.

Pasojat e trajtimit
Duke qenë se gjatë operacionit hiqen organet e brendshme seksuale, pas ndërhyrjes femrat e prekura nuk do të mund të mbeten më me barrë. Femrat para menopauzës, pas operacionit do të bien në gjendje klimaksi, duke qenë se mungojnë hormonet seksuale femërore, të cilat normalisht prodhohen në vezore. Për pasojë, do të shfaqen shqetësime tipike klimakterike, si p.sh. zagushia, mukoza e tharë, indisponimet depresive ose gjumi i çrregullt.

Paskontrollet
Pas përfundimit të trajtimit të kancerit, pacientet duhet ta vizitojnë rregullisht mjeken e tyre për kontrolle gjatë përkujdesjes shëndetësore të mëpasme. Ajo do të japë rekomandime individuale se cilat kontrolle në cilin hark kohor janë të domosdoshme.

Faktorët rrezikues
Faktorë të ndryshëm shtojnë rrezikun për kancerin në mitër. Këtu do të hynin:
>> Mosha: sa më e moshuar të jetë një femër, aq më i lartë është rreziku për kancerin në mitër.
>> Predispozita trashëgimore: rreth 5–10 për qind të të gjitha rasteve të kancerit në mitër shkaktohen nga një predispozitë trashëgimore. Femrat e prekura kanë ndonjë të afërt të ngushtë (motër, nënë ose bijë) gjithashtu të sëmurë prej këtij kanceri.
>> Metabolizmi i natyrshëm hormonal: rreziku për kancer të mitrës është paksa më i lartë tek femrat që kanë pasur menstruacionin e tyre të parë para moshës 12-vjeçare, tek ato që kanë pasur menstruacionin e tyre të fundit pas moshës 55-vjeçare, ose tek ato që s’kanë lindur fare fëmijë.
>> Një terapi shumëvjeçare hormon-substitucionale gjatë menopauzës vetëm me estrogjen. Të gjitha medikamentet e sotme përmbajnë një kombinacion prej estrogjeni dhe gestagjeni (përpos tek femrat që s’kanë më mitër); me një terapi të këtillë rreziku për kancer në mitër nuk është më i lartë.
>> Mbipesha, para së gjithash pas menopauzës.
>> Sëmurja e mëhershme nga kanceri i gjirit ose ai i zorrës së trashë.

Parandalimi dhe zbulimi i hershëm
Një parandalim ose zbulim i hershëm i kancerit në mitër është i pamundur. Mirëpo femrat mund të kontribuojnë që rrezikimin e tyre ta mbajnë në nivel të ulët, në rast se shmangin mbipeshën. Duhet pasur kujdes në përdorimin e preparateve hormonale dhe duhet këshilluar paraprakisht me mjeken.



Main menu 2