Jump to Navigation

Melanoma (kanceri i zi i lëkurës)

Lëkura është organi më i madh dhe më i rëndë i njeriut. Ajo i mbron organet e brendshme nga ndikimet e jashtme, si vapa, lagështira ose presioni (trysnia), shmang shkaktarët e sëmundjeve dhe rregullon temperaturën e trupit. Lëkura është e ndërtuar nga shtresa dhe qeliza të ndryshme.
Ekzistojnë disa lloje kancerësh lëkurorë: melanoma, (kanceri i zi i lëkurës) dhe format non-melanocitare, të ashtuquajturat forma të çelëta të kancerit lëkuror (spinalioma, bazalioma). Këto sëmundje zhvillohen në mënyra të ndryshme prandaj edhe trajtohen në mënyra të ndryshme. Për pasojë, në vazhdim bëhet fjalë vetëm për melanomën.
Nocionet «Melanomë» dhe «kancer i lëkurës» shpesh përdoren si sinonime, pasi që melanoma, ndryshe nga format «e çelëta» të kancerit lëkuror, është natyrëkeqe (malinje) dhe mund të formojë metastaza. Për këtë shkak ndonjëherë flitet edhe për melanomën malinje.
Ajo zë fill në ato qelizat lëkurore të cilat gjatë nxirjes në diell formojnë pigmentin e errët (melanocitin).

Incidenca
Rreth 5 % të të gjitha sëmundjeve kanceroze; në këtë mënyrë melanoma i përket llojeve më të shpeshta të kancerit. Mund të paraqitet madje edhe tek personat më të rinj: një e treta e pacienteve dhe pacientëve janë më të rinj se 50 vjeç.
Dekadave të fundit dendësia e përhapjes së melanomës është shtuar dukshëm. Kjo shpjegohet në radhë të parë me faktin se njerëzia në kohën e sotme e ekspozojnë lëkurën në diell dhe rreziten shumë më tepër se sa në kohët e shkuara.

Simptomat
Shumë nga melanomat krijohen nga ndonjë lezion i pranishëm në lëkurë. Shenja të mundshme janë:
>> Zmadhimi ose rritja e një nishani; nishanet me përmasa më të mëdha se sa 5 mm duhen kontrolluar
>> Kufizimi ose ngjyrimi i parregullt i një nishani, ndryshimi i ngjyrës ose formës së tij
>> Kur një nishan kruhet, nxjerr gjak ose pezmatohet
Një melanomë shpesh shfaqet si një nyjë blu e errët ose bojëkafe, ose si një ngjyrim lëkuror zonal bojëkafe, i cili zgjerohet. Mirëpo ekzistojnë dhe melanoma që kanë po atë ngjyrë si edhe lëkura (melanoma amelanotike) dhe për këtë shkak nuk bien në sy fare. Ndryshimet e dyshimta lëkurore gjithmonë duhen sqaruar tek dermatologu, mjeku ose mjekja e lëkurës, pasi që sa më herët të zbulohet një melanomë, aq më të mira janë shanset për shërim.

Diagnoza dhe ekzaminimet
Mjeku/mjekja e lëkurës fillimisht do të shqyrtojë me saktësi vendin e dyshimtë në lëkurë, mes tjerash edhe me ndihmën e një thjerrëze – dermatoskop. Po qe se ekziston dyshimi për një melanomë, njolla e dyshimtë lëkurore do të pritet nën një anestezi lokale dhe më pas do të ekzaminohet me saktësi në laborator. Për të konstatuar nëse tumori është përhapur tashmë në trup, sipas rrethanash do të zbatohen edhe ekzaminime të tjera, për shembull një scintigrafi e kockave ose një ultrasonografi e organeve të brendshme.

Stadet e sëmundjes
Sëmundjet e kancerit janë të ndara sipas sistemit TNM. Me këtë rast do të gjykohet përhapja e tumorit
(T), invadimi i nyjave limfatike (N) dhe eventualisht edhe metastazat e pranishme (M). Melanoma, sipas sistemit
TNM, ndahet si vijon:
T0 S’ka prani tumori
T1 Tumori është i trashë më pak se 1 mm
T2 Tumori është i trashë midis 1 dhe 2 mm
T3 Tumori është i trashë midis 2 dhe 4 mm
T4 Tumori është më i trashë se 4 mm
Tx Shtrirja e tumorit nuk mund të gjykohet dot
N0 Nuk ka nyja të invaduara limfatike
N1 Është invaduar një nyjë limfatike
N2 Janë invaduar dy deri tre nyja limfatike
N3 Janë invaduar katër ose më shumë nyja limfatike
Nx Invadimi i nyjave limfatike nuk mund të gjykohet
M0 S’ka prani metastazash
M1 Ka metastaza në organe të tjera, për shembull në mushkëri ose në eshtra
Mx Prania e metastazave nuk mund të gjykohet
Në rastin e melanomës me rëndësi qenësore është që të përcaktohet trashësia e tumorit (ndarja sipas Breslovit) dhe që të përcaktohet se sa thellë ka depërtuar tashmë tumori në shtresa të veçanta lëkurore (thellësia invaduese sipas Klarkut). Sa më e trashë melanoma, aq më e madhe besueshmëria se ajo tashmë ka krijuar metastaza.

Terapia
Sapo të jetë konstatuar diagnoza, melanoma hiqet në rrugë operative. Me këtë rast do të hiqet edhe një copëz lëkure e shëndoshë përreth melanomës (distanca e sigurisë). Kësisoj shtohen shanset që qelizat kanceroze, të cilat eventualisht mund të gjenden në zonën në afërsi të melanomës, të mos mbeten në organizëm.
Përmasa e operacionit varet nga fakti se sa është zgjeruar tumori në thellësi të lëkurës – eventualisht duhen hequr edhe nyjat limfatike në zonën e melanomës.
Sipas stadit të tumorit, pas operacionit do të bëhet dhe një terapi imunizuese me substancën ndikuese interferon-alfa. Kjo substancë nxit sistemin imunitar të vetë organizmit që të luftojë ato qeliza kanceroze, të cilat mund të kenë mbetur akoma në organizëm. Në stade të përparuara vihet në përdorim edhe një kimioterapi ose radioterapi ose një kombinacion kimioterapie dhe radioterapie.

Pasojat e trajtimit
Pas heqjes së melanomës, në lëkurë mbetet një vragë, e cila, sipas rregullit, nuk përbën shqetësim.

Paskontrollet
Pas përfundimit të trajtimit të kancerit, pacientët duhet ta vizitojnë rregullisht mjekun e tyre për kontrolle të mëpasme. Ai do t’i japë secilit pacient rekomandime individuale se cilat kontrolle në cilin hark kohor janë të domosdoshme.

Faktorët rrezikues
Djegiet e përsëritura nga dielli – para së gjithash në fëmijëri – dhe ngarkesa e tepërt me rreze diellore (drita UV), shtojnë rrezikun për t’u sëmurur nga një melanomë.
Te një numër pacientesh dhe pacientësh ekziston dhe një predispozitë trashëgimore që shton rrezikun nga melanoma.

Parandalimi dhe zbulimi i hershëm
Masa më e rëndësishme për parandalimin e kancerit të lëkurës është një mbrojtje efektive nga rrezet UV (Ultraviolet):
>> Të shmanget me çdo kusht djegia nga dielli
>> Midis orës 11 dhe 15, kur ngarkesa me rreze UV është më e madhe, të rrihet nën hije
>> Nën diell të barten kapele, syzet diellore dhe rroba të përshtatshme.
>> Të përdoren kremra për mbrojtjen nga dielli me një faktor të lartë mbrojtës nga drita
>> Foshnjat deri në moshën njëvjeçare të mos i ekspozohen kurrë drejtpërdrejt diellit.
>> Veçanërisht mirë të mbrohen fëmijët nga dielli.
Ia vlen që lëkurën ta kontrollojmë vetë në distanca të rregullta kohore dhe nishanet pigmentoze t’i vëzhgojmë me saktësi. Po qe se konstatohen ndryshime në nishane, ato duhen kontrolluar tek mjeku i lëkurës.



Main menu 2