Jump to Navigation

Kemioterapia

Kimioterapia është mjekimi me medikamente të cilat vrasin direkt qelizat kanceroze. Kimioterapia përdoret për disa qëllime si p.sh, të kurojë një lloj kanceri të caktuar, të kontrollojë rritjen tumorale kur kurimi nuk është i mundur, të zvogëlojë masën tumorale përpara kirurgjisë ose rrezatimit, të lehtësojë shenjat siç është dhimbja apo të shkatërrojë qelizat kanceroze mikroskopike që mund të mbeten mbasi tumori është hequr me kirurgji.
Ekzistojnë disa forma të kimioterapisë. Kështu kimioterapia primare është përdorimi i kimioterapisë si trajtim fillestar në pacientët që paraqesin sëmundje të lokalizuar por të avancuar për të cilin ka një alternativë mjekimi. Kimioterapi ndihmëse është përdorimi i trajtimit sistemik mbasi tumori primar është trajtuar me një metodë tjetër alternative siç është kirurgjia ose radioterapia. Kimioterapia kurative është terapia e dhënë si trajtim primar për pacientët me kancer të avancuar dhe për të cilët nuk ka trajtim alternativ. Një formë tjetër është kimioterapia lokale e cila aplikohet direkt në tumor me injeksion në atë pjesë të trupit në të cilën ndodhet tumori.
Trajtimi me kimioterapi bëhet vetëm pasi është vendosur diagnoza mbas një biopsie. Vazhdimi i trajtimit me kimioterapi është një nga kushtet bazë të efektshmërisë ndaj tumorit ashtu si kundër duhet të ndërpritet mjekimi nëse ka efekte anësore tek pacientët.

Cilat janë rrugët e marrjes së KIMIOTERAPISË?
Studime të ndryshme kanë përcaktuar dhe rrugët më të përshtatshme të marrjes së kimiopreparateve duke studiuar veçoritë e thithjes së tyre në organizmin e njeriut. Bazuar në rrugët kryesore të marrjes së këtyre preparateve ato janë të ndara në:
Kimiopreparate që merren nga goja-janë preparate të ndryshme që merren nga goja ose duke i pirë të cilat mund të thithen nga stomaku ose duke i vendosur nën gjuhë. Këto mund të jenë në formën e tabletave, kapsulave apo lëngjeve.
Marrja e kimiopreparateve nën gjuhë është një rrugë e shpejtë e hyrjes në organizëm. Me këtë rrugë jepen disa mjekime të cilat duke u thithur nën gjuhë nuk eliminohen gjatë vjelljes.
Kimiopreparate që merren me injeksion nën lëkurëzakonisht kjo mënyrë përdoret më shpesh për pacientet të cilët kanë problemë me mpiksjen e gjakut për të mënjanuar hemorragjinë gjatë injeksioneve në muskul.
Kimiopreparate që merren me injeksion në muskul-është më e shpejtë se sa rruga nga goja, por më e ngadaltë se rruga nën gjuhë apo nën lëkurë. Kjo mënyrë e marrjes së kimiopreprateve duhet të evitohet në pacientet që rrezikojnë hemorragji.
Kimiopreparate që merren me injeksion në venë është rruga më e shpejtë dhe më e shpeshtë e trajtimit me kimioterapi. Kjo mënyrë e marrjes së kimiopreparateve ofron kohën më të shpejtë të thithjes nga të gjitha metodat aktuale të përdorshme dhe njëkohësisht krijon mundësinë për dozimin e medikamenteve. Këtu nënkuptojmë dhënien në disa minuta, orë, ditë ose javë. Dhënia për një kohë të zgjatur bëhet nëpërmjet pompave. Rruga venoze aplikohet me disa metoda.

A ka efekte anësore KIMIOTERAPIA?
Kimioterapia është një arritje e shkencës në ndihmë të personave të cilët vuajnë nga forma të ndryshme të kancereve. Por kimioterapia ka edhe efekte anësore të cilat ndahen në efekte anësore të përgjithshme dhe efekte anësore specifike bazuar në dëmtimet e organeve të ndryshme. Efektet anësore të përgjithshme përfshijnë veprimin në palcën e kuqe të kockave, veprimin tek qelizat e lëkurës dhe të flokut, veprimin tek qelizat e aparatit tretës dhe veprimin tek qelizat e aparatit riprodhues.
Veprimin në palcën e kuqe të kockave- Përfaqëson një nga efektet anësore më të shpeshta të kimioterapisë. Gjatë marrjes së kimioterapisë është e detyrueshme bërja e rregullt e analizës së gjakut për elementët e tij. Në palcën e kuqe të kockës prodhohen tre lloje qelizash; qelizat e bardha-leukocitet, qelizat e kuqeeritrocitet dhe qelizat që marrin pjesë në mpiksjen e gjakut-trombocitet.
Nga te tre këto lloje qelizash, leukocitet janë qelizat më të ndjeshme ndaj veprimit të kimiopreparateve. Ulja e tyre pas trajtimit me kimioterapi arrin pikun në intervalin kohor 8-14 ditë pas marrjes së ciklit të kimioterapisë. Kjo është arsyeja që pacientëve ju kërkohet marrja e analizës së gjakut gjatë kësaj periudhe.
Si pasojë e uljes së leukociteve pacienti mund të paraqesë disa shenja që tregojnë për një infeksion nga ulja e leukociteve dhe që janë: temperaturë, lodhje, dhimbje fyti, kollë ose marrje fryme, djegie gjatë urinimit apo elemente të ndryshme në lëkurë.
Anemia nuk është komplikacion aq i shpeshtë sa ulja e leukociteve. Shenjat e anemisë janë: dobësi, lodhje, këputje, dhimbje koke, mungesë oreksi, marrje fryme, rrahje zemre të shpeshta sidomos në lëvizje, zbehje e lëkurës, puls i shpejtë.
Dëmtimet e lëkurës përfshijnë një sërë shfaqjesh në lëkurë si; skuqje të lëkurës, kruarje, ndjeshmëri nga drita, etj.
Rënie e flokut-pothuajse të gjithë kimiopreparatet japin rënie floku e cila ndalon me përfundimin e trajtimit. Mbas përfundimit të trajtimit, flokët në përgjithësi dalin më të dendur, më të ashpër dhe me te dredhur. Rekomandohet që gjatë trajtimit me kimiopreparate si dhe gjatë muajit të parë pas trajtimit të evitohet lyerja e flokëve.
Efektet anësore në aparatin tretës janë një nga komplikacionet më të shpeshta të mjekimit me kimiopreparate. Ato përfshijnë të përzierat dhe të vjella dhe që mbeten një nga efektet anësore më stresonte për pacientët që marrin kimiopreparate si dhe diarreja. Dëmtimi i mukozës së gojës është një efekt tjetër mbi aparatin tretës që zakonisht fillon gjatë ditëve të para të mjekimit me kimiopreparte.
Dëmtimet e zemrës përfshijnë dëmtime të muskulit të zemrës si dhe çrregullime të ritmit të saj. Dëmtime të tilla japin disa lloj preparatesh të cilat për këtë arsye kanë një dozë limit të përcaktuar.
Efekte anësore në aparatin riprodhues-janë në vezore të cilat lidhen me dëmtimet nga kimioterapia të qelizave që janë në ndarje e sipër.
Ndërsa efektet anësore specifike përfshijnë: dëmtimin e aparatit të zemrës dhe enëve të gjakut, dëmtimin e aparatit urinar, dëmtimin e mëlçisë, dëmtimin e mushkërive, dëmtimin e venës ku bëhen kimiopreparatetsi pasojë e daljes jashtë të medikamentit, dëmtimin e lëkurës në këmbë dhe në duar si dhe dëmtimi i sistemit nervor periferik.



Main menu 2