Jump to Navigation

HPV (Virusi i Papilomës Humane)

Çfarë është HPV-ja?
HPV (Virusi i Papilomës Humane) është një prej viruseve më të zakonshëm që qarkullojnë dhe është shkaktari i lythave gjenitale tek femrat dhe tek meshkujt dhe i kancerit të qafës së mitrës.
Njihen më shume se 100 tipe të HPV ku afërsisht 40 prej tyre, infektimi dhe transmetimi kryhet me anë të rrugës gjenitale. Viruset e HPV ndahen në dy grupe. Grupi i Parë i viruseve që kanë rrezik të ulët për Kancer të Qafës së Mitrës, si HPV-6 dhe HPV-11, janë përgjegjës për puçrrat gjenitale. Grupi i dytë i viruseve, të cilët janë me rrezik të larte për Kancer të Qafës së Mitrës si HPV-16 dhe HPV-18, janë shkaktarët përgjegjës në 70% të rasteve me Kancer të Qafës se Mitrës.
HPV është një nga infeksionet më të zakonshëm tek femrat në moshë të re. Rreth 80% e grave të sëmura rreth moshës 50 vjeç, thonë se kanë pasur një infektim nga HPV gjatë jetës së tyre. Por, një person i infektuar nuk mund ta shohë HPV ose të ndjeje këto ndryshime në trupin e tij.
Në shumicën e rasteve, HPV largohet vetë nga individi brenda 2 vjetësh dhe nuk shkakton probleme shëndetësore në sajë të sistemit mbrojtës të organizmit që lufton HPV në rrugë natyrale. Vetëm në rastet kur infeksioni mbetet, ose në raste të infeksioneve të përsëritura, ndodhin ndryshime në qafën e mitrës së gruas që mund të shkaktojnë Kancer të Qafës së Mitrës.

Si mund të infektohesh apo të transmetosh HPV?
HPV transmetohet nëpërmjet kontaktit seksual gjenital (lëkurë më lëkurë). Shumica e njerëzve as nuk e dinë që kanë HPV, ose që ata janë duke ja transmetuar partnerit tjetër. HPV është një nga IST që shpesh nuk kanë simptoma të dukshme veçanërisht te femrat, madje mund të ketë shenja në vende jo të dukshme. Kështu që nuk është e mundur të dihet se kush e dha HPV ose kur u morr HPV. Lythat mund të shfaqen si jashtë dhe brenda organeve gjenitale, në fytyrë dhe në kavitetin oral. HPV është shumë e zakonshme dhe shumica e njerëzve e marrin atë menjëherë pasi fillojnë aktivitetin seksual, dhe mund të zbulohet vetëm vite më vonë. Të gjitha femrat të cilat ndonjëherë kanë pasur marrëdhënie seksuale janë në rrezik për HPV dhe Kancer të Qafës së Mitrës.
Faktorët që favorizojnë transmetimin dhe marrjen e infeksionit të HPV
Rreziku i marrjes së infeksionit të HPV në femra rritet me duhanpirjen, dhe me shtimin e numrit të partnerëve meshkuj. Gjithashtu, në çdo situatë ku gjendet një ulje e përgjigjes mbrojtëse të menjëhershme të organizmit, rritet mundësia e shfaqjes së sëmundjes. Kështu, nëse një pacientet me diabet, me HIV/AIDS (SIDA), ose ata që përdorin preparate kortizonikë dhe kimioterapi ekspozohen ndaj virusit të HPV, kanë më shumë mundësi të shfaqin dhe të zhvillojnë sëmundjen e HPV, duke përfshirë edhe lythat gjenitale.

A mund të shkaktojë HPV probleme të tjera shëndetësore?
Po. Përveç kancerit të qafës së mitrës, shumë tipe të HPV çojnë në kancer të anusit në femra dhe në meshkuj si dhe kancer të penisit. Tek meshkujt mund të shfaqen puçrra gjenitale në penis, skrotum dhe brenda preterit (kanali që nxjerr jashtë trupit urinën). Si në meshkujt dhe në femra, puçrrat mund të shfaqen dhe në sipërfaqen përreth anusit.
Puçrrat apo lythat gjenitale gjatë shtatzënisë mund të zmadhohen dhe mund te shkaktojnë një ankth të madh tek femrat, që i frikëson ato për kalimin e virusit tek bebi gjatë lindjes. Kalimi i infeksionit nga nëna tek foshnja pasohet me zhvillimin e HPV në laring dhe lythat anogjenitale te foshnjat.

Çfarë duhet të bëjë individi për të ditur nëse ka HPV?
Siç e përmendëm më lart, një person i infektuar nuk mund të shohë HPV ose të ndjejë këto ndryshime në trupin e tij. Individi nëse vëren lytha të kuq në organet gjenitale duhet të paraqitet te mjeku për kontroll. Mjeku pasi ta kontrollojë do t’i thotë nëse ato janë lytha gjenitale apo jo. Tek një grua që nuk ka lytha te dukshëm, mund të kryhet një vizitë gjinekologjike dhe të merret material për HPV nga qafa e mitrës.

Si mund të diagnostikohesh për HPV?
Ka shume teste laboratorike që përdoren për testimin e HPV. Megjithatë HPV zakonisht diagnostikohet nëpërmjet shikimit të puçrrave te dukshme ose një PAP-testi jonormal. Nëse një grua ka një PAP-test jonormal mjeku kërkon më shume teste për të parë nëse pacientja ka HPV, siç është testi për HPV. HPV-test kontrollon qafën e mitrës për virusin HPV, i cili dëmton qelizat normale dhe shkakton kancer të qafës së mitrës.
Nëse një grua rezulton pozitiv për HPV me risk të larte, kjo nuk do të thotë që patjetër do të zhvillojë kancer të qafës së mitrës, por ajo grua është në rrezik të lartë në krahasim me një grua që ka rezultate negative të PAP-testit. Në shumicën e grave sistemi mbrojtës i organizmit lufton me sukses infeksionin e HPV.

Si mund të trajtohet Infeksioni HPV?
HPV është një infeksion kronik dhe jetëgjatë. Megjithatë, ekziston dhe vetshërimi që tregon se një në tre njerëz me lytha gjenitale shërohen vetvetiu brenda 2 vjetësh. Meqë HPV është virus, ai nuk mund të kurohet, por vetëm trajtohet. Megjithatë HPV jo gjithmonë ka nevoje për trajtim, sepse trupi do të vetëpastrojë infeksionin në mënyrën e vet, edhe nëse puçrrat janë të dukshme ose jo. Nëse lythat janë të mëdha dhe bezdisëse, ka shume metoda për heqjen e tyre.
Lythat nuk mund të hiqen vetë nga individi, ato trajtohen vetëm në qendra shëndetësore në mënyra të ndryshme. Gjithashtu, mjeku mund të përshkruajë preparate në formë kremi që përdoren individualisht.
Ky krem ndihmon trupin të fuqizoje sistemin imunitar dhe të shkatërrojë virusin, por nuk përdoret për lythat që ndodhen në Qafën e Mitrës ose brenda vaginës. Këto preparate nuk përdoren në gratë shtatzëna se mund të shkaktojë defekte të lindura te foshnja. Asnjë nga të gjitha trajtimet nuk e shëron virusin. Madje edhe sikur këto puçrra të mund të zhduken ato mund të ripërsëriten, sepse virusi mund të fshihet ne lëkurën e shëndoshë që e rrethon.

Çfarë duhet të dijë partneri ose partnerja?
HPV është infeksion seksualisht i transmetueshëm. Për këtë partneri seksual duhet të kontrollohet për shenja. Madje mund të ndodhë që edhe kur shenjat nuk janë te dukshme, është e domosdoshme që ai të kontrollohet periodikisht për HPV dhe sëmundje seksualisht e transmetueshme (IST).
Të gjitha femrat me lytha gjenitale duhet t’i nënshtrohen testeve diagnostikuese.
Partnerët meshkuj duhet të bëjnë vlerësimin klinik për IST.
Individët duhet të presin deri në 2 javë për të rifilluar aktivitetin seksual, derisa lythat të jenë larguar dhe sipërfaqja të jetë pastruar. Partnerja duhet t’i tregojë partnerit seksual se ka lytha gjenitale. Duhet pasur parasysh: Transmetimi me HPV midis partnereve ndodh edhe atëherë kur nuk ka simptoma dhe kur nuk shihet prezenca e ndonjë lythi.

Si mund të parandalohet HPV?
Moskryerja e aktit seksual është metoda e vetme dhe e sigurtë për të parandalosh infeksionin. Përdorimi i kondomeve gjate aktit seksual në mënyrë që të pakësohet mundësitë e dhënies ose të marrjes së lythave gjenitale është mënyrë e mirë parandaluese. Përdorimi i kondomeve nuk ndalon marrjen ose dhënien e lythave, sepse HPV mund të jetë dhe në pjesët e trupit që nuk mbulohen nga kondomi.
Kondomi gjithashtu ndihmon në parandalimin e përhapjes së IST-ve duke përfshirë dhe virusin HIV, virusi që shkakton SIDA.
Është e nevojshme që partnerët seksualë duhet të bëjnë kontrollin e plotë shëndetësor.
Vaksinimi i femrave të moshës 9 deri në 26 vjeç, përpara se ato të fillojnë aktivitetin seksual është një nga mënyrat e parandalimit. Vaksina është efektive në parandalimin e katër tipave të HPV që shkaktojnë deri në 70% të të gjithë kancereve të qafës së mitrës dhe 90% të lythave gjenitale.
Nuk duhen përzierë, barnat, alkooli me seksin. Të qënit të dehur mund të ndikojë në humbjen e kontrollit të vetëdijes dhe të marrjes së vendimeve jo të drejta në lidhje me seksin.
Numri i shumtë i partnerëve seksualë njëkohësisht i rrit shanset për t’u infektuar me HPV.
Vaksinimi i femrave të moshës 10 deri në 26 vjeç, përpara se ato të fillojnë aktivitetin seksual është një nga mënyrat e parandalimit.



Main menu 2