Jump to Navigation

PAP Testi

Çfarë është PAP Testi?
Pap testi është një test i shpejtë dhe i thjeshtë që bëhet për të parë qelizat e qafës së mitrës. Pap testi është një ekzaminim i rëndësishëm për një grua, mbasi bën të mundur të kapen në faza të hershme tumoret e qafës së mitrës. Ky ekzaminim e merr zanafillën nga mjeku greko-amerikan Georgios Papanicoulau (1883-1962), prandaj quhet Testi i Papanicoulaut, ose shkurt Pap test. Pap testi mund të kapë kancerin e qafës së mitrës, një kancer i zakonshëm tek gratë, përpara se ai të prekë pjesë të tjera të trupit.
Një analizë Pap testi, duhet të jetë pjesë e rëndësishme e kujdesit për shëndetin e një gruaje. Pjesa më e madhe e kancereve të qafës së mitrës mund të shmangen nëse gratë bëjnë PAP testin, rregullisht.

Përse është kaq i rëndësishëm PAP Testi?
Sepse bërja e rregullt e Pap testit zbulon qelizat jo normale në fazat e hershme pa dhënë akoma kancer të qafës së mitrës.
Pjesa më e madhe e kancereve të qafës së mitrës mund të kapen në kohë atëherë kur trajtimi bëhet më i lehtë dhe shanset për kurimin e tij janë shumë më të mëdha.

Të gjitha gratë duhet ta bëjnë Pap Testin?
Është e rëndësishme që të gjitha gratë ta bëjnë rregullisht Pap testin, si pjesë e kujdesit të zakonshëm për shëndetin e tyre. Rekomandohet që të gjitha femrat tre vjet pasi kanë filluar aktivitetin seksual duhet të kryejnë PAP testin rregullisht.
Gratë që kanë hequr mitrën duhet të konsultohen me mjekun nëse mund të kryejnë rregullisht Pap Testin.

Sa shpesh duhet bërë PAP Testi?
Rekomandimet për kryerjen e Pap Testit janë të ndryshme.
Është e rëndësishme për të gjitha gratë bërja e Pap testit. Për gratë që kanë filluar aktivitetin seksual, apo kanë arritur moshën 18 vjeç, Pap testi duhet të kryet rregullisht. Bisedoni me mjekun tuaj për shpeshtësinë e kryerjes së PAP testit.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë rekomandohet:
Të gjitha femrat e moshave nga 21 deri në 65 vjeç duhet të krye jnë Pap testin!
• Femrat e moshave 21 deri në 49 vjeç duhet të kryejnë Pap testin çdo vit. Nëse 3 Pap teste rresht dalin normal atëherë vazhdohet kryerja e Pap testit çdo tre vjet.
• Femrat e moshave 50 deri në 64 vjeç duhet të kryejnë Pap testin çdo 3-5 vjet.
• Në moshën 65 vjeç ju mund të ndaloni kryerjen e PapTestit vetëm nëse e keni kryer rregullisht atë që në moshën 50 vjeç dhe keni pasur rezultate normale.

Kërkohet ndonjë gjë e veçantë para se të shkosh të kryesh PAP Testin?
Rreth 2 ditë përpara se të shkoni për të bërë Pap testin, duhen të shmangni dushin vaginal, ose përdorimin e medikamenteve, suposteve apo kremrave vaginale.
Gjithashtu nuk duhet të keni kryer marrëdhënie seksuale 24 orë përpara Pap testit.
Pap testi nuk këshillohet të bëhet në periudhën menstruale, koha më e mirë është ndërmjet ditës së 10-20-të pas ditës së parë të periodave.

Si bëhet Pap Testi?
Pap testi është një test i thjeshtë, i shpejtë, dhe që zgjat vetëm pak minuta. Pap testi është i padhembshëm prandaj nuk ka nevojë për asnjë ilaç qetësues. Pap testi mund të kryhet në një klinikë apo spital.
Ndërkohë që gruaja shtrihet tek shtrati i vizitës, mjeku merr një sasi qelizash prej qafës së mitrës me një furçë të vogël që është posaçërisht për këtë. Materiali më pas dërgohet në laborator për t’u parë nga mjekë specialistë.
Përgjigja jepet mbas rreth 2 javësh me një fletë të veçantë, ku bëhen shënimet përkatëse. Aty shënohet nëse materiali është normal apo paraqet ndryshime. Është e rëndësishme për një grua të diskutojë rezultatet e PAP testit të saj me mjekun.
Nëse rezultati i PAP testit është normal, rreziku për kancer të qafës së mitrës është i ulët, por gruaja duhet të vazhdojë rregullisht bërjen e Pap Testit, çdo 1-3 vjet.

Po nëse rezultati i PAP Testit është jo normal?
Nëse rezultati i PAP Testit del jo normal, do të thotë që disa qeliza jo normale janë gjetur në qafën e mitrës, por kjo nuk do të thotë gjithmonë që janë kanceroze. Është e rëndësishme të mbajmë mend se qelizat jo normale jo gjithmonë bëhen kanceroze. Në disa raste pjesët jo normale duhen hequr që të mos kthehen në kancer. Kjo gjë kërkon një trajtim të thjeshtë në spitalin gjinekologjik dhe nuk kërkon që ju të shtroheni. Ky trajtim nuk ndikon në jetën seksuale apo në mundësinë për të pasur fëmijë.
Nëse Pap testi tregon një dyshim apo gjendje jo normale mjeku do t`ju kërkojë të përsërisni testin mbas 6 muajsh apo t’ju kërkojë të kryeni ekzaminime të tjera shtesë si kolposkopi po biopsi.
Biopsia është e vetmja mënyrë e sigurtë për të përcaktuar nëse qelizat jo normale kanë lidhje me kancerin.
Pap Testi është test i thjeshtë, i shpejtë, i padhimbshëm, që zgjat vetëm pak minuta dhe që ju shpëton jetën!



Main menu 2