Jump to Navigation

Keni dhimbje gjoksi?

Në më të shumtën e rasteve, dhimbjet e gjoksit vijnë nga sforcot muskulore apo nga një keqtretje ushqimore.

Kujdes! Duhet të thirrni autoambulancën në rast se keni:
-Dhimbje dërmuese në qendër ose në anën e majtë të gjoksit dhe që nuk i përngjan me ndonjërën prej dhimbjeve të tjera që mund të kesh pasur më parë.
-Mos mbushje me frymë.
-Ndjenjë të fikmi.
Ja disa prej shkaqeve që japin dhimbje gjoksi:
1. Në se keni dhimbje episodike dërrmuese gjoksi që përhapet majtas kafazit, nofullës dhe prapa në shpinë, që shtohet nga aktiviteti fizik por që lehtësohet në se pushon atëherë mendohet se kjo shkaktohet nga mos furnizimi i muskulit të zemrës me sasinë e nevojshme të gjakut për shkak të ngushtimit të një apo më shumë arterieve që furnizojnë me gjak muskulaturën e zemrës (Angina). Por kur kjo dhimbje dërmuese gjoksi, pavarësisht në se është për herë të parë apo jo, vazhdon e rënduar edhe pasi të keni pushuar atëherë mund të keni krizë zemre që quhet infarkt miokardi (Myocardial Infarction). Në këtë rast ka ndodhur bllokimi i plotë i një apo më shumë enësh gjaku që ndërpret qarkullimin e gjakut në një zone të caktuar të muskulaturës së zemrës dhe që për pasojë shkakton mos furnizimin me lëndë ushqyese dhe oksigjen dhe vdekjen qelizore të muskulaturës përkatëse të zemrës. Në këtë rast para se të vijë autoambulanca pi një gjysmë kokër aspirine (në se nuk keni reaksion).
2. Në se keni marrje fryme që ka filluar papritmas brenda 48 orëve dhe ndërkohë keni pasur një operacion kirurgjikal apo keni ndenjur shtrirë nga ndonjë sëmundje apo nga ndonjë aksident apo keni lindur fëmijë brenda një periudhe 2 javore, atëherë mund të keni pësuar bllokim të enëve të gjakut në mushkëri nga copëza të mpiksura gjaku (Pulmonary Embolism).
3. Në se dhimbja e gjoksit ka karakter djegës, lidhet me ngrënien e ushqimit, lehtësohet nga marrja e ilaçeve antacide dhe shtohet gjatë përkuljes përpara apo gjatë shtrirjes ju mund të keni ngjitje të ushqimit nga stomaku lart për në ezofag (Gastro-Oesophageal Reflux). Por, një dhimbje e tillë mund të vijë edhe nga një ulçer peptike (Peptic Ulcer).
4. Në se keni temperaturë mund të keni infeksion të mushkërive (Pneumonia).
5. Një dhimbje gjoksi që shoqërohet thjesht me një mos mbushje me frymë mund të shkaktohet edhe nga zvogëlimi i volumit të një mushkërie si pasojë e shfryrjes së saj nga prezenca e ajrit në hapësirën midis kafazit dhe mushkërive (Pneumothorax). Ky ajër mund të futet nga një vrimë që hapet ose në mushkëri ose në murin e kafazit.
6. Në se dhimbja e gjoksit s’ka lidhje me frymëmarrjen por shtohet gjatë prekjes sidomos në rastet kur keni dëmtuar kafazin apo keni bërë stërvitje fizike, kjo gjë mund të vijë nga sforcimi apo lëndimi muskulor.
7. Në se dhimbja nuk ju lejon të mbusheni me frymë dhe sidomos kur keni kollë dhe temperaturë atëherë ju mund të keni infeksion të dy membranave që veshin mushkëritë dhe kafazin (Pleurisy).



Main menu 2