Jump to Navigation

Keni dhimbje shpine?

Dhimbjet e pakta të shpinës shkaktohen zakonisht pas qëndrimeve të sforcuara, lëvizjeve të papritura apo pas ngritjes së peshave të rënda.
Këto dhimbje mund të shoqërojnë një shtazani të zakonshme. Për të prevenuar dhimbjet e shpinës duhet të mësohemi për të mbajtur një pozicionim trupor të drejtë si ndenjur ashtu edhe në këmbë, të tregojmë kujdes të veçantë gjatë ngritjes së peshave të rënda dhe të bëjmë rregullisht gjimnastikë. Kur dhimbjet e shpinës janë të vazhdueshme dhe të forta ato mund të jenë shkak i një problemi më serioz.

Kujdes! Thirrni urgjentisht mjekun në se dhimbja e shpinës shoqërohet me urinim dhe jashtëqitje të pavullnetshme.
Ja disa nga shkaqet që shoqërohen me dhimbje shpine:
1. Në se keni pasur ndonjë dëmtim trupor apo rënie nga ndonjë lartësi dhe s’keni shenja të tjera shoqëruese ju mund të keni mbi sforcuar apo shembur muskujt e shpinës. Në këtë rast ju mund të merrni ndonjë ilaç kundra dhimbjes dhe të pushoni. Proçedurat e ngrohta në zonën e dëmtuar si p.sh.duke vendosur një shishe apo borsë llastiku me ujë të ngrohtë, mund të lehtësonin dhimbjen. Por në se keni shenja të tilla shoqëruese si vështirësi në të ecur, mpirje apo dhimbje therëse në njërën këmbë dhe urinim të pavullnetshëm ju mund të keni dëmtuar palcën e shtyllës kurrizore (Spinal Injuries). Kjo gjëndje konsiderohet një dëmtim i rëndë prandaj në këtë rast duhet ti telefononi menjëherë mjekut tuaj! Para dhe gjatë transportit duhet treguar kujdes në mënyrë që nëpërmjet vendosjes poshtë kokës të një jastëku, qafa dhe koka të mos bjerë nën nivel dhe lëvizjet të kufizohen në maksimum.
2. Në se dhimbja e shpinës përqendrohet anash pak sipër belit dhe keni temperaturë ju mund të keni infeksion të veshkave (Pyelonephritis).
3. Në se dhimbja e shpinës vjen pas ngritjes së peshave të rënda, pas një kollitje të theksuar, pas një aktiviteti fizik të tej sforcuar dhe të pazakonshëm, ju mund të keni mbi tendosur apo përdredhur muskujt apo ligamentet e shpinës. Në se nuk ndjeheni më mirë pas 2-3 ditësh ju duhet të konsultoheni me ndonjë mjek. Në se përveç shenjave të mësipërme keni kufizime në lëvizje dhe dhimbje që përhapet nëpër këmbë atëherë mund të keni një vertebër të thyer nga një sëmundje që karakterizohet nga shtimi i porozitetit kockor (Osteoporosis) një sëmundje që ka predispozicion të rritur për thyerje kockore dhe që zhvillohet sidomos në moshat mbi 60 vjeç dhe në ata që dergjen në shtrat; ose mund të keni dëmtim apo shtypje të rrënjës së nervit të kofshës (Sciatica); ose mund të keni shtypje të rrënjëve të nervave që dalin nga shtylla kurrizore nga dalja jashtë mbështjellëses së saj fibroze të asaj lënde xhelatinoze e cila normalisht është e vendosur midis trupave të vertebrave (Prolapsed or Herniated Disk).
4. Në se jeni duke vuajtur prej muajsh nga një dhimbje e madhe shtangëse dhe jeni mbi 45 vjeç ka mundësi të keni degjenerimin gradual të kërceve të kyçeve (Osteoarthritis). Por në se jeni nën 45 vjeç dhe sidomos mashkull atëherë ju mund të vuani nga një sëmundje pezmatuese dhe shtangëse të kyçeve të shtyllës kurrizore dhe të legenit (Ankylosing Spondylitis).
5. Ato dhimbje shpine që keqësohen tek një grua që ndodhet në tre muajt e fundit të barrës mund të jenë dhimbjet e lindjes.



Main menu 2