Jump to Navigation

Keni ënjtje këmbësh?

Ënjtjet e lehta e të pa dhimbshme të këmbëve vijnë zakonisht nga mbajtja e lëngjeve në inde pas ndenjes gjatë në këmbë apo ulur. Ky fenomen është i zakonshëm në shtatzëni. Ka raste që kjo gjë vjen edhe nga ndonjë sëmundje zemre, mëlçie apo veshkash.

Ja disa nga shkaqet e ënjtjes së këmbëve:
1. Në se i keni të dyja këmbët e ënjtura, kjo mund të jetë një ankesë e zakonshme e një shtatzënie normale. Këtyre grave u rekomandohet të mos qëndrojnë gjatë në këmbë dhe kur të shtrihen të vendosin këmbët mbi nivelin e trupit. Por në rast se kjo grua shtatzëne ënjtet në fytyrë, shton në peshë mbi 2 kg brenda një jave, ka një tension arterial të lartë dhe në urinën e saj eliminohet proteinë, atëherë duhet lajmëruar menjëherë mjeku ose mamia sepse mund të kërcënohet jeta e gruas dhe e fëmijës (Pre-eclampsia dhe Eclampsia). Normalisht ënjtjet e të dy këmbëve mund të ndodhin edhe në ato raste kur bëhet një udhëtim i gjatë me tren, me makinë ose me aeroplan dhe tek njerëzit me mbi peshë që nuk stërviten fizikisht. Disa orë ndenjur dhe pa aktivitet fizik krijojnë kushtet për një qarkullim jo të lirshëm të gjakut prandaj këtyre njerëzve u rekomandohet inkurajimi i qarkullimit duke u ngritur dhe duke praktikuar në intervale të rregullta ecjen dhe gjimnastikën trupore dhe kur të qëndroni ndenjur mbani herë pas here këmbët të ngritura. Ndër të tjera, ënjtjet e të dy këmbëve mund të shkaktohen edhe nga një efekt anësor i ndonjë medikamenti që ju jeni duke marrë. Në rast se dikush ka ndjenjën e mos ngopjes me frymë atëherë kjo mund të vijë nga pamjaftueshmëria pompuese kronike e zemrës (Chronic Heart Failure), dëmtimi i pakthyeshëm struktural i mëlçisë (Cirrhosis) dhe nga ulja e nivelit të proteinave në gjak nga që ato eliminohen nga urina për shkak të defekteve në veshka (Nephrotic Syndrome). Në rast se keni damarë të fryrë dhe të përdredhur nën lëkurë atëherë kjo gjë mund t’ju vijë prej variceve (Varicose veins).
2. Në rast se njëra prej këmbëve ënjtet, dhemb, skuqet, tensionohet duke fryrë edhe damarët atëherë mundet që një koagul gjaku të ketë bllokuar njërin prej damarëve kryesorë të këmbës (Deep Vein Thrombosis). Në këtë rast, ju duhet menjëherë ti telefononi mjekut tuaj! Formimi i koagulit të gjakut në thellësi të këtyre damarëve nuk është edhe aq serioze sa vetë rreziku që mbart dalja në qarkullim të copëzave të gjakut të mpiksur të cilat mund të bllokojnë p.sh. ndonjë enë gjaku të mushkërive apo gjetkë në tru. Dergjja në shtrat, traumat automobilistike, operacionet kirurgjikale, shtatzënia dhe marrja e kontraceptivëve orale mund të jenë disa nga faktorët që çojnë në mpiksjen e gjakut.



Main menu 2