Jump to Navigation

Organet gjenitale të femrës

Organi gjenital i jashtëm femror quhet vulvë. Vulva përbëhet nga dy buzë të mëdha që gjenden në pjesën e jashtme e dy të vogla që gjenden brenda. Në mbrendësi të buzëve të vogla gjindet hyrja e  vaginës dhe e uretrës (kanalit urinor) e cila shërben për nxjerrjen e urinës nga mëshikëza e urinës jashtë. Mbi qarjen e vaginës gjindet klitorisi i cili luan rol të rëndësishëm në kënaqësinë seksuale të femrës.

Vagina
Është një kanal me gjatësi prej 7 deri më 10 cm i cili mund të zgjërohet dhe të ngushtohet. Në këtë kanal depërton penisi (organi seksual mashkullor) gjatë marrëdhënieve seksuale. Vagina zgjerohet për ta lënë foshnjën të kalojë gjatë lindjes, si dhe e mundëson rrjedhjen e gjakut menstrual. Dëshira seksuale provokon lëngun vaginal i cili e ndihmon depërtimin e penisit në vaginë.

Hymen (cipa e vajzërisë)
Hymeni është një cipë e hollë e cila ndodhet në hyrje të vaginës te femra e virgjër. Forma e hymenit ndryshon prej femrës në femër.
Nganjëherë edhe nuk ekziston fare. Qarja e hymenit apo pëlcitja e tij nga marrëdhënia e parë seksuale përcillet me gjakderdhje, por jo te të gjitha femrat.

Uterusi (mitra, ani)
Është hapësira ku zhvillohet fëmija (beba). Mitra mund të krahasohet me dardhën, pjesa e ngushtë e së cilës është e kthyer poshtë. Në fund të vaginës gjatë çdo cikli menstrual zhvillohet një lloj lëngu që trashet (mukoze) i quajtur endometër. Kur fillon shtatzënia, endometri e formon një fole ku do të zhvillohet embrioni. Nëse kjo nuk ndodh, në fund të ciklit menstrual, endometri tërheqet dhe si pasojë e kësaj vijnë menstruacionet. Pjesa e poshtme e cila e prekë vaginën është qafa e mitrës. Ajo ka një vrimëz që lejon kalimin e spermatozoideve dhe gjakut menstrual. Gjatë lindjes, qafa e mitrës dhe vagina hapen për ta lejuar foshnjen të kalojë (dalë nga mitra).

Ovaret apo vezoret
Këto janë organe çifte që kanë madhësinë dhe formen e bajameve, apo të arrës. Ato i luajnë dy role: u Në prodhimin e hormoneve seksuale të femrës, të cilat hormone e rregullojnë ciklin menstrual. u Një herë në muaj e mundësojnë pjekjen e vezores (procesi i ovulimit).

Tubat uterine (vëzëpërquesit)
Këto kanë formen e gypit me gjatësi 10-15 cm. Shërbejnë për përquarjen e vezës që del nga vezoret gjer te mitra. Fekondimi i vezës me spermatozoid bëhet në vezëpërques prej nga pastaj veza e fekonduar zbret në mitër ku zhvillohet embrioni (fëmija).

Cikli i femrës menstruacioni
Është periudha kohore nga dita e parë e menstruacioneve deri në ditën e parë të menstruacioneve të ardhshme. Kjo periudhë kohore zakonisht zgjatë prej 21 deri 35 ditë. Cikli fillon zakonisht në moshën 11-15 vjeçare, dhe mbaron në menopauzë rreth moshës 45-55 vjeçare.
Gjatë çdo cikli, gruaja përgatitet për një shtatëzënësi eventuale me zhvillimin e endometrit. Dalja e vezës ndodh 15 ditë para se të lajmërohet gjakderdhja e ardhshme. Nëse gruaja në ketë periudhë kohore ka marrëdhënie seksuale atëherë ajo mund të mbetët shtatzënë.
Dalja e vezës asnjëherë nuk ndodhë në të njejtën kohë, prandaj nuk mundemi të bazohemi në këtë shenjë, në mënyre që të mbrohemi nga një shtatzëni të padëshiruar.

Gjatë periudhës së menstruacioneve
Femra mund të lahet, të bëjë dush dhe t'i lajë flokët. Ajo mund të bëjë edhe sport ose të notojë pasi ta ketë vendosur tamponin.



Main menu 2