Jump to Navigation

Mbikqyrja e Fertilitetit (Metoda Natyrale e Kontrollit mbi Lindjen)

Ndryshimet hormonale që lidhen më fertilitetin mund të kuptohen nga mbikqyrja e këtyre tre shenjave: rrjedhjet cervikale, temperatura bazale e trupit, ndryshimet cervikale. Në këtë mënyrë mund të përcaktojmë se në cilat ditë jemi fertile (mund të mbarsemi) dhe në cilat ditë nuk jemi fertile (nuk mund të mbarsemi). Duhen vetëm pak minuta në ditë për të dokumentuar vërejtjet tona. Mbikqyrja e Fertilitetit është një metodë e thjeshtë dhe e saktë për të kuptuar kur mund të mbeteni shtatzënë gjatë ciklit tuaj. Në dallim nga Metoda e Ritmit që parashikon kohën fertile në bazë të cikleve të kaluara, Mbikqyrja e Fertilitetit bazohet në evidencën fiziologjike aktuale dhe jo në parashikime. Metoda e Ritmit që është e famshme për raportin e lartë të dështimit pretendon gabimisht që ovulimi në ciklin aktual mund të parashikohet në mënyrë të saktë nga gjatësia e ciklit të mëparshëm. Mirëpo, gjatësia kohore përpara ovulimit ndryshon nga njëra grua te tjetra dhe nga njëri cikël në tjetrin. Metoda e Ritmit konsiderohet e vjetëruar dhe e pasigurtë.
Mbikqyrja e treguesve natyrale të trupit na mëson që ne jemi fertile vetëm për rreth një të tretën e çdo cikli menstrual. Edhe nëse nuk jeni të interesuara në kontrollin e lindjes ky informacion është i dobishëm për njohjen e trupit, për të mbetur shtatzënë nëpërmjet aktit seksual ose farëzimit artificial, për të identifikuar dhe kuruar probleme të sterilitetit, ose për të parashikuar menstruacionet.

Tre Shenjat e Fertilitetit
1. Rrjedhja cervikale (mukusi). Kjo është një metodë ditore vrojtimi për përcaktimin e ditëve fertile dhe jofertile.
Rrjedhjet cervikale tregojnë fillimin dhe mbarimin e fertilitetit, periudhën e fertilitetit maksimal, dhe afrimin e ovulimit dhe menstruacionit. Fertiliteti fillon me shfaqjen e rrjedhjeve cervikale dhe vazhdon deri në darkën e ditës së katërt pas rrjedhjeve maksimale (ditën e fundit të rrjedhjes fertile cervikale). Ovulimi ndodh dy ditë para ose pas kësaj dite. Rrjedhjet cervikale reflektojnë nivelet e estrogjenit dhe progesteronit në trup (rrjedhja është e njomë dhe pjellore kur niveli e estrogjenit që prodhohet nga vezët në ovare rritet dhe bëhet mbizotërues, dhe është i thatë dhe ngjitës pas ovulimit kur progesteroni është hormoni mbizotërues). Në këtë mënyrë rrjedhjet cervikale janë një mënyrë e saktë për të përcaktuar ndryshimet e brendshme hormonale. Për të përmbledhur ndryshimet hormonale: Ovulimi ndodh pas rritjes/rënies së niveleve të estrogjenit.
Menstruacionet vijnë pas rritjes/rënies së progesteronit. Si shenja të jashtme, ovulimi ndodh kur rrjedhjet cervikale shfaqen dhe bëhen më të njoma ndërsa menset vijnë kur rrjedhjet bëhen më të thata dhe ngjitëse. Rrjedhjet cervikale përcaktojnë ditët fertile dhe jofertile përgjatë ciklit pavarësisht nëse ata janë të rregullt apo jo. Kjo vlen më shumë për gratë që ushqejnë fëmijët me gji, gratë para menopauzës, dhe stresit.

2. Temperatura bazale e trupit (TBT). Temperatura bazale e trupit tregon ovulimin pasi ai ka ndodhur, përcakton ditët pas-ovulatore jofertile dhe konfirmon shtatzëninë. Temperaturat janë më të ulëta para ovulimit dhe më të larta pas. Përpara ovulimit temperatura tipike e gruas është 97- 97.5°F. Pas ovulimit temperatura është 97.6-98.6°F. Një ngritje e qëndrueshme e temperaturës (deri në tre ditë) me të paktën 4/10 e një grade Fahrenheit konfirmon ngjarjen e ovulimit. Në qoftë se TBT qëndron e rritur më shumë se 17 ditë (dhe ju nuk keni ethe ose sëmundje), konfirmohet shtatzënia. Temperatura e trupit nuk indikon fillimin e ovulimit ose se cilat ditë para-ovulatore janë të sigurta për kontaktin vaginë-penis ose aktin seksual.

3. Ndryshimet cervikale (Cephalad shift). Kjo do të thotë një ndryshim në pozicionin dhe ndjesinë e cerviksit. Kur jeni fertile cerviksi është i pozicionuar më lart, është më i butë dhe hapja është më e gjerë. Kur rrjedhjet cervikale ndryshojnë nga të njoma në të thata, cerviksi është më poshtë, më i fortë dhe më pak i hapur. Vetëm ndryshimet cervikale nuk tregojnë as fillimin dhe mbarimin e fertilitetit as ditët e sigurta dhe të pasigurta për kontaktin vaginëpenis dhe aktin seksual. Ato shërbejnë si një mënyrë e mirë për të konfirmuar saktësinë vrojtimeve të rrjedhjeve cervikale dhe temperaturës bazale te trupit.
Të treja këto metoda janë të thjeshta për tu përdorur dhe dokumentuar dhe nuk duan më shumë se disa minuta.



Main menu 2